Rama dhe ambasadorët gënjejnë, KLP dhe KLGJ nuk ngrihen dot brenda vitit

Tuesday, 26 June 2018 10:58

Një dokument i brendshëm i Delegacionit Europian tregon se Ambasadorja Romana Vlahutin ka qenë e informuar që prej marsit të shkaur se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mund të ngrihen vetëm “në fund të vitit 2018 ose më vonë”.

Dokumenti i titulluar “Mbi Status Quo-në e Zbatimit të Reformës në Drejtësi”, i datës 29 mars 2018 është hartuar nga misioni i BE-së për ndihmë juridike EURALIUS, dhe pohon se “ka rrezik që vetingu i të gjithë kandidatëve prioritarë të vazhdojë edhe për shumë kohë”:

“Përveç kësaj, nëse procesin e vetingut nuk do ta kalojnë një numër i mjaftueshëm gjyqtarësh/prokurorësh nga ata që kanë aplikuar për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (PJK), organet përgjegjëse, domethënë Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme, duhet të lëshojnë përsëri një thirrje për kandidatë të tjerë. Këta kandidatë do të duhej sërish të verifikoheshin…. Ky proces mund të marrë muaj të tjerë dhe do të çojë në rezultatin që krijimi i Këshillave [KLGJ ose KLP] të bëhet vetëm në fund të vitit 2018 ose më vonë.” Kjo është një deklaratë e jashtëzakonshme, sidomos po të kemi parasysh se disa zyrtarë vendas e ndërkombëtarë kanë bërë deklarata të bujshme se Prokuroria Speciale (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve (BKH) do të formohen para verës së vitit 2018. Por si SPAK e BKH, ashtu edhe Prokurori i ri i Përgjithshëm legjitim mund të formohen dhe zgjidhen vetëm pasi KLP të jetë ngritur dhe të ketë filluar të funksionojë.

Ambasadori i SHBA Donald Lu deklaroi në fillim të prillit të shkuar se “Prokuroria Speciale (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve (BKH) do të formohen këtë verë”.

Gjithashtu, po në fillim të prillit, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj bëri të njëjtën deklaratë: “në verë SPAK dhe BKH do të jenë gati”. Si Ambasadori Lu, ashtu dhe Ministri Xhafaj janë në poste që duhet të ishin të mirëinformuar për përmbajtjen e këtij dokumenti të EURALIUS-it. Së bashku me Ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin, Ambasadori Lu është në Bordin Menaxhues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) që mbikëqyr vetingun. Ndërsa Ministri Xhafaj, së bashku me Ambasadoren Vlahutin, marrin pjesë, gjithashtu, në takimet e Komitetit Drejtues të EURALIUS-it.

Pra, mbeten dy mundësi: ose Ambasadorja e BE-së Vlahutin nuk e ka ndarë përmbajtjen e dokumentit të hartuar nga EURALIUS me bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë në Reformën e Drejtësisë, Ambasadorin e SHBA-së Lu dhe Ministri Xhafaj, ose Lu dhe Xhafaj në vetëdije dhe në mënyreë të qëllimshme kanë mashtruar shqiptarët dhe ndërkombëtarët në lidhje me përparimin e reformës së drejtësisë. Exit.al

Login to post comments