Qarja e kryeministrit dhe Kelmend Balili

E Enjte, 05 July 2018 19:29

Nga Kastriot Dervishi

 

Gjatë një aktiviteti të sotëm, kryeministri i vendit deklaroi se i shumëkërkuari Kelmend Balili (as emrin nuk ia thonë të saktë, por gjithnjë gabim në "Klement") deri para pak kohësh ishte pjesë e administratës së tij si emërim politik. Në këtë kuadër, kryeministri u qa se sistemi i tepsisë së djeshme, ishte shkaktari që në poste të ndryshme janë vënë drejtorë që me të dhëna kriminale. A thuan në atë administratë nuk kishte asnjë "balil" tjetër! Deklarata e kryeministrit ishte jo vetëm e kotë, por më shumë shërbeu për të plotësuar kotësinë e funksionimit të një shteti karakatinë reklamash si i yni. Partitë politike nuk kanë shërbim sekret që të verifikojnë të dhënat operative që rrjedhin kryesisht nga Policia dhe SHISH, por kur ata propozojnë zyrtarë për poste drejtorësh, ministrash, etj, është detyrë e ekzekutivit të bëjë verifikimet e veta, pa qenë nevoja të presë hotelin e radhës për të bërë gjelkrekosjen e radhës. Në varësi të kryeministrit është drejtpërdrejt Shërbimi Informativ i Shtetit. Nëse ky shërbim ka raportuar te kryeministri se shtetasi Balili ka të dhëna të atilla që nuk duhej të lejonin të ishte drejtor, atëherë kryeministri ose i ngarkuari i tij në SHISH është përgjegjës për mosushtrim kompetencash që së paku do çonin në largimin e atij individi nga funksioni shtetëror. Nëse nuk është raportuar fare, atëherë duheshin marrë masat për shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës, indiferentë për një veprim të tillë. Por ish drejtori i SHISH-it në Sarandë "i kohës së Balilit", me ndryshimet e fundit në SHISH ku oficerët e Sigurimit të Shtetit morën kontroll të plotë të drejtimit, rezulton të jetë i ngritur në detyrë. Në mënyrë hipotetike i bie që ka punuar mirë dhe e ka “gozhduar” me informacione Balilin. Por, kryeministri nuk sqaroi publikun në e ka informuar SHISH-i apo jo, për problemet e shtetasit Kelmend Balili. Sepse çfarë ishte Balili tashmë publiku e di këtë gjë. Kryeministri nuk është portal, por institucion. Po ashtu kryeministri mund të shtonte në ishte informuar nga Policia nëpërmjet ministrit të saj për të dhëna rreth këtij shtetasi. Shteti nuk funksion me deklarata hotelesh por me veprime ligjore.Kryeministri e paraqiti veten sikur në administratë nuk e pyeste njeri dhe partia e djeshme e koalicionit mund të bënte çdo gjë. Por për fat të keq, në administratën e sotme gjen plot nulitete të bërë drejtorë vetëm për tepsinë e partisë së vet për të vetmen aftësi se janë numërues votash. Dhe çfarë drejtorësh: nga ata që nuk dinë as të shkruajnë në kompjuter e as të hartojnë një shkresë me karakter mesatar.

Modifikuar më E Enjte, 05 July 2018 19:40
Login to post comments