Aktori Neritan Liçaj ka folur sot pas votimit rreth mesnatës nga ana e deputetëve të maxhorancës, të projektligjit për Teatrin Kombëtar, ku nënkuptohet shembja e godinës aktuale.
Liçaj tha për Fax News se kjo që ndodhi ishte një diktaturë votash, ndërsa sipas tij aktorët ndihen të tradhtuar nga ana e deputetëve. Aktori tha artistë do të ndjekin të gjitha hapat ligjore, për të ndalur shembjen e teatrit. Ndërkohë lidhur me mbështetjen e qytetarëve Liçaj tha se ajo ishte mëse e mjaftueshme. ‘’E mendoj të papranueshme vendimin e marrë nga deputetët e majtë, edhe ata vetë e dinë se ne kemi të drejtë. Ndihemi të tradhtuar dhe koha do të tregojë se kush nga ne ka pasur të drejtë.
Deputetët u është dashur që të votojnë për ti dhënë pushtet një njeriu të vetëm. Janë të gatshëm ti thonë po çfarëdo marrëzie. Unë kisha shpresë që ata do të votonin si shqiptarë, unë ja u kam bërë këtë thirrje dhe më herët. Nëse ata do vepronin si qytetarë, unë do isha dakord me çdo qëndrim të tyre. Po përplasemi me një arrogancë nga ana e qeverisë, do të vazhdojmë protestat kundër kësaj sjellje dhe kësaj diktature votash. Tani fillon protesta jonë, pasi ne nuk mund të tolerojmë një arrogancë të tillë, megjithë respektin që kam për qeverinë dhe mazhorancën kjo është e papranueshme. Ne do të vazhdojmë protestën si gjithë këto kohë, përditë në orën 7 pasdite siç ka qenë. Unë besoj te integriteti moral i kolegëve të mij, miqtë e mi janë të mrekullueshëm. Ne nuk përçahemi, askush nga ata nuk është deklaruar kundër Teatrit Kombëtar”, u shpreh Liçaj.