Mes debatesh të forta në seancë dhe protestës së artistëve, aktivistëve dhe qytetarëve të ndryshëm, Kuvendi miratoi mbrëmë projektligjin që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.
75 deputetë votuan për shembjen e godinës pavarësisht thirrjeve të artistëve, intelektualëve, dhe qytetarëve të ndryshëm për të mos shkatërruar ‘xhevahirin’ e kulturës shqiptare.
Megjithatë pa kaluar shumë kohë, doli në pah dhe një skandal që e kompromenton votimin. Në listën e deputetëve që kishin votuar për shembjen e teatrit figuronte dhe deputeti Vangjel Tavo, i cili nuk ka marrë fare pjesë në votim pasi nuk ka qenë në sallë, ndaj dikush ka votuar në emrin e tij.
Por kush votoi në vend të Tavos?
Nga lista e bërë publike e deputetëve që votuan, mungon deputeti Robert Bitri. Ai edhe pse ka qenë në sallë dhe ka votuar nuk figuron në listën e 75 deputetëve që dhanë “ok” për shembjen e teatrit. Duhet pasur parasysh se në procesverbalin e fundit të Kuvendit të Shqipërisë rezulton se ka pasur 0 abstenime dhe 0 vota kundër.
Nga ana tjetër, PD dhe LSI i kanë drejtuar një kërkesë kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi për ta shpallur këtë votim të pavlefshëm pasi kemi të bëjmë me vjedhje votash.