Reforma në Drejtësi duket se nuk i mjafton Partisë Socialiste për ta konsideruar veten të mbrojtur nga hetimet penale. Një seri ligjesh të miratuara vetëm nga maxhoranca, të cilat shoqëruan ndryshimet kushtetuese konsensuale, i kanë dhënë pushtet të madh qeverisë mbi sistemin e drejtësisë.
Por, gjithësesi, maxhoranca qeverisëse ndihet ende e pasigurt dhe për këtë arsye synon të realizojë ndryshimet e fundit në Rregulloren e Kuvendit, në bazë të të cilave, deputetët marrin rolin e gjykatësit.
Brenda muajit Korrik, Parlamenti pritet të votojë amendamentin “Balla” për Rregulloren, në nenet ku parashikohet dhënia e autorizimit për arrestimin e deputetit dhe ministrit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka depozituar para disa muajsh në Kuvend një nismë për ndryshimin e neneve 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit, konkretisht ato të emëruara “Autorizimi për procedim” dhe “procedura pas ndalimit apo arrestimit të deputetit”.
Nisma e Ballës erdhi menjëherë pasi Partia Socialiste hodhi poshtë, me votë politike, kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda për autorizimin nga Parlamenti për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm dhe deputetit Saimir Tahiri.
Partia Socialiste, e gjendur në mënyrë të papritur përballë kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Tahirit, i konsideruar si njeriu më i afërt i kryeministrit Edi Rama, organizuan mbrojtjen e tij me një procedurë anti-ligjore në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve në Parlament. Deputetët socialistë, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe legjislacionit penal, vlerësuan provat e paraqitura nga Prokuroria dhe në fund vendosën që ato nuk kishin vlerë.
Ky qëndrim politik binte ndesh tërësisht me frymën e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në një shtet demokratik, Parlamenti ka rolin e ligjvënësit, ndërsa drejtësinë e jep gjykata. Por, në rastin “Tahiri”, maxhoranca parlamentare mori rolin e gjykatësit.
Publiku që ka interes për zhvillimet politike e mban mend se Kryeministri deklaroi që nuk ka prova për Tahirin. Pas tij, një shpurë e madhe deputetësh e analistësh pranë qeverisë deklaruan se nuk ka prova për Tahirin. Madje, edhe ambasadori Donald Lu vuri në dyshim ekzistencën e provave, pavarësisht se edhe ai, si të gjithë të tjerët më lart, nuk ishte gjykatës.
Pas e shpëtuan Saimir Tahirin nga arrestimi, socialistët nisën të mendonin për procedura, me të cilat të arrihet shmangia e situatave të ngjashme, nëse prokuroria do të kërkonte në vijim arrestimin e deputetëve të tjerë të saj ose ministra të qeverisë “Rama”.
Këtë detyrë e mori përsipër Taulant Balla, i cili sugjeroi amendimin e Rregullores së Kuvendit, me anën e të cilës synohet që paligjshmëria në rastin “Tahiri” të kthehet në normë.
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 73 të saj, parashikon se: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”. Pra, për masë ekstreme ndaj deputetëve, kërkohet paraprakisht autorizimi i Kuvendit.
Ky parashikim, i cili edhe kështu siç është, shkel barazinë e shtetasve para ligjit, është vendosur për të shmangur, kryesisht, abuzimin e pushtetit lidhur me arrestimin e deputetëve të opozitës.
Në zbatim të këtij përcaktimi kushtetues, Rregullorja në fuqi e Kuvendit, në nenin 118 të saj, duke trajtuar rregulla të njëjta si heqjen e imunitetit të deputetit, ashtu edhe për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij, parashikon se: “Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale (dhe arrestimit) ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori I Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin”.
Në fjalë më të thjeshta, Rregullorja kërkon nga prokuroria që, krahas kërkesës për autorizim, të dorëzojë ede dokumentat shoqërues. Këtu është edhe pika kyçe e diskutimit, të cilën, Balla, i diplomuar “jurist”, synon ta shndërrojë në favor të deputetëve dhe ministrave të maxhorancës.
Taulant Balla e lexon termin “dokumenta shoqërues” si prova. Në fakt, “dokumenta shoqërues” janë aktet proceduriale të prokurorit, ku përfshihet, kryesisht regjistrimi i procedimit penal (hetimit) ndaj deputetit apo ministrit. Rregullorja e Kuvendit e ka parashikuar këtë kërkesë për t’i paraprirë një situate hipotetike abusive nga ana e Prokurorisë, kur mund të kërkohet arrestimi i deputetit apo ministrit pa u regjistruar një procedim penal. Pra, kaq kërkon Rregullorja e Kuvendit, bazuar në frymën e Kushtetutës dhe parimit të ndarjes së pushteteve.
Ndërkohë, propozimi “Balla” shkon më tej. Ai kërkon nga Parlamenti që të miratojë amendamentin e tij, i cili parashikon: “Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtepi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën”.
Pra, amendimi “Balla” kërkon që prokuroria të dorëzojë në Kuvend edhe provat që ka ndaj deputetit e ministrit dhe, natyrisht, ato do t’i nënshtrohen vlerësimit politik nga deputetët. Pra, njëlloj siç ndodhi në rastin “Tahiri”. Të gjithë deputetët, fillimisht ata të Këshillit të Mandateve e Imuniteteve e më tej ata të seancës plenare, në këtë mënyrë marrin tagrin e gjyqtarit, një rol që as nuk e kanë me ligj dhe as nuk mund ta ushtrojnë.
Ky parashikim i Taulant Ballës bie tërësisht në kundërshtim edhe me Kodin e Procedurës Penale, i cili, në nenin 152 të tij, “Çmuarja e provave”, parashikon se: 1…..Gjykata, pas shqyrtimit të provave në tërësi, çmon vërtetësinë dhe fuqinë provuese të tyre, duke argumentuar arsyet ku është mbështetur për të krijuar bindjen e saj”. Pra, është vetëm gjykata ajo që ka tagrin ligjor për të vlerësuar provat, njëlloj siç ndodh në çdo vend demokratik.
Por, për Taulant Ballën, ky kapërcim tërësor kompetencash duket se nuk përbën asnjë problem, mjafton të arrihet qëllimi për të mbrojtur kolegët brenda familjes së tij politik. Propozimi “Balla” është në kundërshtim të plotë edhe me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Kjo e fundit, një risi për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, do të ketë në kompetencë të saj hetimin e zyrtarëve të lartë, përfshirë deputetë dhe ministra. Por, nëse realizohet qëllimin i Taulant Ballës, atëherë edhe hetimet e SPAK do të vlerësohen paraprakisht nga vullneti politik në Parlament.
SPAK, ashtu si edhe e gjithë Reforma në Drejtësi, u ideuan për të shkëputur tërësisht politikën nga sistemi i drejtësisë. Por, nëpërmjet ndërhyrjeve, në dukje të vogla në ligje e Rregullore, maxhoranca ka vendosur që ta kthejë përmbys edhe vetë SPAK-un.