Partia Socialiste e pranon zyrtarisht se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dy strukturat që do të bëjnë efektive Reformën në Drejtësi në Shqipëri, “nuk dihet se kur do të krijohen”.
Pasi kishte dhënë garanci se kuadri ligjor i Reformës në Drejtësi do të niste të zbatohej në vitin 2017 e më pas në vitin, tashmë duket se maxhoranca është “dorëzuar” dhe shprehet se nuk mund të parashikohet afat për ngritjen e tyre.
Por, në fakt, ky “dorëzim” më shumë duket se një zbatim skenari, i denoncuar prej mëse dy vitesh nga opozita, e cila ka deklaruar se e gjithë Reforma në Drejtësi, e miratuar dhunshëm me kartonët e maxhorancës dhe me ndihmën e dy ambasadorëve të rëndësishëm në ikje, të cilët ishin shumë pranë qeverisë, u realizua për kalimin e sistemit të drejtësisë nën varësinë e qeverisë së Edi Ramës.
Parlamenti dështoi të Hënën për të miratuar ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH”, ku parashikohej që, me një dispozitë kalimtare, t’i jepej e drejta Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për caktimin e numrit të magjistratëve të rinj dhe emërimin e tyre.
Ligji, i cili është pjesë e Reformës në Drejtësi, ka parashikuar që këto kompetenca i kanë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por, për sa kohë që nuk janë krijuar këto institucione, deputetët Ulsi Manja dhe Klotilda Bushka propozuan që këto kompetenca t’i rikthehen, përkohësisht, KLD dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndryshimet e propozuara nuk u miratuan, për shkak se maxhoranca nuk mundi të siguronte 84 vota. Por, përtej dështimit në votim, projekt-ligji Manja-Bushka ishte shoqëruar me një relacion, në të cilin pranohet realiteti i vështirë i sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Në relacionin shoqërues, dy deputetët, të cilët kanë rol kryesor në Komisionin e Ligjeve, argumentojnë nevojën për amendimin e ligjit “… duke marrë në konsideratë se ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është bërë ende i mundur dhe nuk mund të parashikohet cili mund të jetë afati i krijimit të tyre”.
Pra, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetja Bushka pranojnë zyrtarisht se KLGJ dhe KLP nuk dihet se kur mund të krijohen.
Po çfarë do të thotë mos-krijimi i këtyre këshillave për publikun e gjerë? Së pari, rikthejmë në vëmendje se, në kohën kur maxhoranca zgjodhi Arta Markun si Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme vetëm me 69 vota, u përbetua se “ajo do të qëndronte e përkohshme për një periudhë 2-3 mujore, deri në krijimin e KLP-së, struktura që do të zgjedhë prokurorin e përgjithshëm”.
Sot, kur kanë kaluar më shumë se 8 muaj, “përkohshmëria” e Prokurorit të Përgjithshëm nuk dihet se kur do të mbarojë. Me një Prokurore nën varësinë e Edi Ramës, maxhoranca dhe qeveria është e pashqetësuar nga nisja e hetimeve për korrupsion, por edhe për lidhjet e eksponentëve të saj të lartë me botën e krimit të organizuar.
Me një kryeprokurore nën varësinë e qeverisë, ekziston rreziku eminent që asnjë qytetar të mos marrë të drejtën e tij të shkelur nga zyrtarët e administratës shtetërorë, të gjithë pjesë e Partisë Socialiste në qeverisje.
Në mungesë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, struktura që do të trajtojë karrierën e gjyqtarëve, këta të fundit do të ndihen gjithnjë e më tepër nën presionin qeveritar. Për publikun, shumë procese gjyqësore, përfshirë penale, por edhe civile, ku veçohen çështjet e pronave apo të abuzimit të pushtetit publik në dëm të interesave të individëve, rrezikon të mos marrin zgjidhjen e duhur ligjore.
Në gjendjen aktuale, asnjë gjyqtar apo prokuror nuk merr guximin që të nisë hetim apo të marrë një vendim në kundërshtim me qëndrimet e pushtetarëve, për faktin se mund të gjenden nën presionin qeveritar, sidomos nëpërmjet strukturave të Vetingut, gjithashtu nën kontrollin politik të qeverisë së Edi Ramës.
Kjo është panorama aktuale, për të cilën “dorëzimi” i Ulsi Manjës dhe Klotilda Bushkës duket se është një skemë, e cila i shkon shumë mirë për shtat maxhorancës që ata përfaqësojnë, për të drejtuar vendin pa asnjë shqetësim në aspektin ligjor, duke përfshirë këtu edhe mos-ekzistencën e Gjykatës Kushtetuese dhe kolapsin e Gjykatës së Lartë.