Kreu i grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i ka kujtuar kryeministrit Edi Rama deklaratën e tij në tetor të 2013-ës, kur i shpallte luftë llotove dhe kumarit.
“Ligji i lojrave të fatit dhe kryeministri që nuk e njeh turpin!!!
Ligji për lojrat e fatit(bixhozit) u kthye nga presidenti në Kuvend. Veprim i drejtë.
Një mundësi e re për kryeministrin, që të rikuperojë diçka nga turpi i madh i tij i lënë rrugës.
Sepse paturpësia pa kufi është neveri dhe kryeministri është shembull i kësaj.
Sot favorizon lojrat e fatit, por lexoni çfarë thoshte po ky kryeministër në 25 tetor 2013 kur filloi operacioni “Fundi i Marrëzisë” kundër lojrave të fatit:
“Askush dhe për asnjë arsye nuk do të mundet dot ta ndalë këtë nismë që nuk është aksion, as sezon, po nismë që do të quhet e kryer kur vendi dhe shqiptarët nuk do të lënë më asnjë qindarkë në kumar. Ky nuk mund të jetë as legalisht aktivitet i së ardhmes së vendit. E ardhmja e vendit nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me bixhozin”.
Këto thoshte kryeministri kur bënte sikur mbyllte lojrat e fatit,sepse qëllimi ishte krejt tjetër dhe pikërisht zgjerimi i tyre dhe grumbullimi në pak duar.
Kryeministër më hipokrit dhe të kapur s’keni për të parë më kurrë.
Problem është edhe për ata që i ka zënë halli apo qejfi të bëjnë avokatin e tij,sepse ky për shkak të parave bën të kundërtën e asaj, që thotë dhe i lë në mes të rrugës dhe këtyre u duhet të ripërtypin deglat e parimeve që kanë shitur.”, shkruan Vasili.
Pikërisht, Edi Rama që u shpalli publikisht luftë kazinove, u ka ulur tatimin mbi të ardhurat, duke ulur barrën nga 15% e xhiros në 15% mbi fitimet bruto. Nëpërmjet një ligji miratuar pak ditë më parë në Kuvend, Rama ka favorizuar ato që ishin targeti i shënjestrimit për sy të publikut.
Por presidenti i Republikës, Ilir Meta i tha “Jo” kësaj nisme ligjore të Ramës, duke ia kthyer në Kuvend, me argumentin e problemeve sociale.