Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, pasditen e djeshme. Në takim, Bahtiri e njohu ish-kryeministrin Berisha me përpjekjet e tij si kryetar komune dhe të ekipit të tij për zhvillimin, prosperitetin e gjithanshëm të komunës së Mitrovicës.
Kryetari i Mitrovicës theksoi se përkundrejt këtyre zhvillimeve, përpjekjet e Beogradit për aneksimin e Mitrovicës dhe copëtimin e Kosovës janë një kërcënim i madh për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Gjatë këtij diskutii, Berisha i shprehu Bahtiri vlerësimin e tij për kontributin e çmuar që ai ka dhënë dhe jep në drejtimin e qeverisë vendore të Mitrovicës, përballimin me sukses të presioneve të shumëllojta dhe zhvillimin e komunës së tij.
Ish-kryeministri vlerësoi lart qëndrimin e Bahtiri kundër projektit të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe dhe copëtimin e Kosovës, që mjerisht kësaj rradhë ka siguruar edhe ndihmën e argatëve të vet në Prishtinë.
Më tej Bersha theksoi se Mitrovica nuk ka qenë kurrë e Serbisë përveçse në hartën e Serbisë së Madhe. Në të gjitha rezolutat e OKB, aktet ndërkombëtare, marrëveshjet e Rambujesë, Kumanovës, dokumentin Ahtisari, Aktin e Pavarësisë, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hages dhe 115 njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, Mitrovica është territor i Kosovës, tha ai. Ai u shpreh se askush dhe asnjëherë, përveç serbomëdhenjve në Beograd dhe argatëve të tyre në Prishtinë, nuk kanë vënë kurrë në diskutim kufijtë aktualë të Kosovës dhe nuk kanë kërkuar kurrë ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh.
“Sot, integriteti territorial i Kosovës dhe siguria e saj, janë më të garantuar se të çdo vendi tjetër në rajon. Në Kosovë ekzistojnë standardet më të larta të garantimit të të drejtave të minoriteteve. Por një grusht banditësh, kriminelësh me lidhje te fuqishme me mafien serboshqiptare, mbahen në këmbë në veriun e Mitrovicës për qëllime kontrabande dhe trafiqeve të drogës, armëve etj”, u shpreh z. Berisha.
Ish-kryeministri Berisha theksoi se përpjekjet e Beogradit dhe argatëve të tij albanofobë në Prishtinë për Serbinë e Madhe, janë një rrezik madhor për paqen e brishtë në të gjithë rajonin tonë duke hapur kutinë e Pandorës, që rrezikojnë rajonin tonë me një seri konfliktesh të reja, të cilat, theksoi ai, do jenë shumë më të egra se sa të parat. “Vendet tona kanë nevojë jetike për paqe”, u shpreh z. Berisha. Biseda ishte e hapur, vëllazërore dhe me mirëkuptim të ndërsjelltë të plotë.