Meta takon Zëvendës Ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Shtetit

E mërkurë, 19 September 2018 19:09

Presidenti i Republikës të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot në takim Zëvendës Ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Elisabeth Millard.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e ecurisë së reformave për të forcuar shtetin e së drejtës në interes të konsolidimit të ligjit, si dhe të integrimit europian, thuhet në një njoftim për mediat nga zyra e shtypit pranë Presidencës.

Presidenti Meta garantoi Millard se Shqipëria është e vendosur në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga dokumenti i Partneritetit Strategjik Shqipëri-SHBA.

Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e finalizimit të dialogut Kosovë-Serbi përmes marrëveshjes që garanton perspektivën europiane, konsolidon bashkëjetesën ndëretnike dhe paqen në rajon.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e suksesit të referendumit në Maqedoni për të ardhmen europiane të të gjithë rajonit.

Login to post comments