Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë për vitin 2017.
Vijon një përmbledhje e pjesëve për Shqipërinë.
Në këtë raport thuhet se gjatë vitit 2017 Shqipëria ishte një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terrorizmit dhe vazhdoi pjesëmarrjen e saj në Aleancën Globale për të Mposhtur ISIS-in.
Shqipëria, thuhet në raport, penalizon veprimet terroriste, financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona që janë në listat e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për kryerjen e veprave terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe krijimin apo pjesëmarrjen në organizata terroriste.
Gjatë vitit 2017, thuhet në raport, Forcat e rendit në Shqipëri i shtuan përpjekjet për të luftuar kërcënimet e mundshme terroriste.
Korrupsioni dhe pengesat ndaj shkëmbimit të informacionit midis agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem gjyqësor që funksionon dobët, thotë raporti, vazhdoi të pengonte përpjekjet e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet.
Në raport thuhet gjithashtu se në vend po bëhen reforma kushtetuese dhe ligjore për gjyqësorin, duke filluar me verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar si dhe për aftësitë e tyre profesionale.