Platforma kundër korrupsionit dhe oligarkisë, prezantuar nga Partia Demokratike sipas këshilltarit ligjor Gazmend Bardhi, nuk është luftë ndaj biznesit por një masë e plotë në mbrojtje të të ndershmëve. Bardhi thotë se ligji antimafia garanton një proces transparent, ndërsa sqaron se propozohen mekanizma të pavarur që do bëjnë verifikimin e kontratave publike, duke diferencuar zyrtarët dhe bizneset e ndershëm me ata të korruptuar.
Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, sqaron të ashtuquajturën platformë kundër korrupsionit dhe oligarkisë, duke theksuar se nuk është luftë, por një masë që garanton në mënyrë të plotë biznesin e ndershëm.
Gazmend Bardhi: Ne nuk vëmë barazi midis krimit dhe biznesit, vëmë barazi midis krimit dhe krimit. Sepse abuzimi me paratë e shqiptarëve dhe pronat publike është krim.Këtu nuk bëhet fjalë për luftë ndaj biznesit, bëhet fjalë për ato kontrata publike abuzive me të cilat po shpërdorohen paratë e buxhetit të shtetit dhe po tjetërsohen në mënyrë të paligjshme pasuritë publike. Këtu jemi para një krimi që për nga rëndësia dhe efekte që sjell në jetën e çdo qytetari ka të njëjtin impakt si krimi i organizuar.
Bardhi sqaron se ligji garanton një proces transparent, ndërsa propozohet një Drejtori e pavarur që bën bën verifikimin e kontratave publike.
Gazmend Bardhi: Ajo që kemi parashikuar është një proces i ndarë në tre faza. Faza e parë është një proces administrativ verifikimi nga një Drejtori që do të krijohet sipas ligjit dhe modelit britanik ku ne e kemi marrë këtë lloj procedure.Pas verifikimit nëse konstatohen elementë abuzivë në kontratat publike, informacioni do ti shkojë Prokurorisë Speciale (SPAK), e cila më pas paraqet kërkesë dhe gjykata vendos sekuestrimin dhe konfiskimin e të gjitha pasurive.
Këshilltari ligjor i selisë blu, thotë se ky ligj është emergjence kombëtare, duke marr parasysh sipas tij abuzimet me fondet dhe pronat publike.
Partia Demokratike thotë se fatura totale e abuzimit në këto 5 vite qeverisje të socialistëve, kap vlerën prej 2.18 miliardë euro.
/Oranews/