Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë, e cila kërkoi arrestimin e Albert Veliut, i njohur si ‘Babalja’ apo dëshmitari X, Fredi Alizotit, si detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashin.
Vasili përmes një postimi në ‘Facebook’ pohoi se kryeprokurorja Arta Marku ka vendosur që të vetësakrifikohet për Ramën.
“Kryeministri është i paditur se gënjeu e tha publikisht se kishte bërë ekspertizën e audio-përgjimit të vëllait të ministrit. A do të ketë hetim transparent për këtë? Kryeministri ishte i paditur se i kërkoi policisë të flakë uniformën e të bëjë vota për Rilindjen. Për këtë vepër penale, po vetë kërkoi falje në FB dhe Prokuroria e mbylli çështjen. A do të ketë rihapje dhe hetim transparent nga Prokuroria fajtore që e mbylli çështjen? Kryeministri është njoftuar që Shqipëria rrezikon të humbasë 2 miliardë euro në gjyqë me kompani të ndryshme. Mosveprimet e tij shkatërrojnë ekonominë e vendit. A do të fillojë hetime kryesisht prokurorja dhe për këtë çështje? Jam i sigurt që prokurorja do të bëhet sërish memece, do të harrojë sërish shqipen dhe nuk ka faj se gjuhën ja ka dhënë me PPP Kryeministrisë, tashmë ata janë përdorues edhe pronarë të saj”, thuhet në videon që ka publikuar Vasili në ‘Facebook’.