Lubonja për krimin/ Alibitë e Ramës si ato të Hitlerit dhe Enverit

Tuesday, 09 October 2018 16:42

Nga Fatos Lubonja/ “E ka marrë ferra uratën”. Kjo është një shprehje, që e dëgjon gjithnjë e më shpesh nga më të vjetrit në Shqipëri kur komentojnë ato që po ndodhin në vend. Ka shumë gjasa që ata më të rinjtë nuk ia dinë kuptimin kësaj shprehje, prandaj me dy fjalë po u them se do të thotë që ka ndodhur e pariparueshmja. Po cila është urata, cila është ferra dhe cila e pariparueshmja që ka ndodhur? Urata është vendi ynë, ku balta duhet të na duket më e ëmbël se mjalta; ferra janë flakët e krimit që kanë marrë dhenë, duke na e bërë vendin të na duket si ferr, jo si mjaltë; e pariparueshmja është dëmi që i ka bërë ky krim vendit, mbi të gjitha njeriut dhe marrëdhënieve e vlerave njerëzore.

Ja shikoni lajmet e javës:

Pamë se i biri i një deputeti qarkullon me kobure në brez, përdhunon e kërcënon me sigurinë se nuk i ndodh asgjë sepse i ati është deputet nga ata që e ka të shkruar në ballë se është futur në listë nga kryetari, pasi bën pjesë ndër të fortët e botës së krimit që sundojnë me paratë, pushtetin e bandat e tyre edhe në Shkodër, edhe në Lezhë, edhe në Krujë e Fushë-Krujë, edhe në Durrës, edhe në Elbasan, edhe në Vlorë, edhe në Sarandë, edhe …edhe në Tiranë.

Pamë te Blloku një ndeshje spektakolare midis “të fortësh” që përfundoi me vrasje dhe vetëm pas vrasjes mësuam se këta të fortë janë po ata (rëndom i quajmë “biznesmenë”), që i çojnë dashnoret e tyre nëpër hotele 19 000 euro nata, që janë pronarë qendrash basti e më the të thashë, që, edhe pse janë të akuzuar për vrasje apo tentativa vrasjesh, respektohen si “të fortë”. Pamë po ashtu se ata, që duhet të konsiderohen specialistët më të zgjedhur në mbrojtjen e interesave të shtetit, me mjetet ekstreme punojnë si badiguardë të këtyre “biznesmenëve” që, merret vesh, i paguajnë shumë herë më tepër sesa ç’i paguan shteti.

Pamë se vëllait të një prezentatoreje të famshme televizive na i paskan gjetur në makinë bomba dhe detonatorë, që do i tregtonte diku te një bandë që s’dihet se kë do të hidhte në erë.

Këto janë tre nga kronikat e javës së fundit, ndërkohë që para një jave ka pasur të tjera të ngjashme, që tregojnë se flakët e krimit kanë pushtuar vendin nga veriu deri në jug.

Përballë kësaj gjendjeje të vendit gjen disa kategori qytetarësh.

Janë ata, të cilëve krimi ua ka djegur tashmë shtëpinë: d.m.th. që janë bërë pjesë e flakëve apo të shkrumbimit që ato kanë lënë pas.

Janë ata që ikin nga sytë këmbët, prej frikës se era do t’ua sjellë flakët edhe në shtëpinë e tyre.

Janë ata që shpresojnë se një ditë do të bjerë një shi i madh nga qielli dhe do t’i shuajë flakët.

Janë ata që presin dita-ditës të vijnë zjarrfikësit nga Amerika dhe Europa me ishambasadorin Lu në krye, me zorrë uji në dorë.

Janë ata që mendojnë se kanë ngritur rreth shtëpive të tyre mure mbrojtëse mjaft të larta me roje të sigurta.

Është edhe kategoria e atyre që shajnë e mallkojnë, e denoncojnë flakë këtu dhe atje, që bërtasin për zjarrvënie e zjarrvënës.

Po zjarrfikësit ku janë, cilët janë, ngrihet pyetja. Çfarë bëjnë ata? E pra, kjo është çështja. Zjarrfikësit tanë janë bash zjarrvënësit, që natën grumbullojnë paranë e madhe të krimit dhe ditën marrin rrogën e vogël nga shteti. Duke qenë të tillë gjatë ditës, ata janë angazhuar kryesisht në një punë speciale: të përgënjeshtrojnë dhe akuzojnë për shpifje ata, që thonë se vendi po digjet nga flakët e krimit. Kanë kohë që e bëjnë këtë, duke angazhuar edhe mediat, edhe shkarrashkrues kombëtarë e ndërkombëtarë, që i paraqesin flakët sikur të jenë një mrekulli ekonomike. Por ajo që po bie në sy së fundi është tentativa për të kaluar në një fazë të re shumë më të rrezikshme. Duke qenë se flakët po rriten në mënyrë tejet të dukshme nga akuzat për shpifje, duket se duan të kalojnë në akuzat se zjarrvënësit janë ata që denoncojnë zjarrin. Këtë ndjesi më dha ai lajmi i dhënë dje nga Kryeministri se tritolin në shtëpinë e viktimës së përdhunuar nga i biri e banda e të birit të deputetit e paska venë opozita, medemek për ta kërcënuar që të mos thotë të vërtetën: se është opozita ajo që po e përdhunon. Kjo ndjesi më kujtoi për asosacion se në vitin 1933, një kryeministër zjarrvënës famëkeq i vuri flakën Parlamentit gjerman dhe akuzoi se zjarrin e kishin vënë kundërshtarët e tij. Më çoi edhe në Shqipërinë e vitit 1951 kur në oborrin e Ambasadës Sovjetike u hodh një bombë, që theu vetëm disa xhama, për të gjetur pretekstin e pushkatimit të 21 intelektualëve të konsideruar si kundërshtarë potencialë.

Ndoshta ka lexues që do t’u duken shumë largvajtëse këto paralelizma. Veçanërisht atyre që nuk duan të mendojnë se zjarri, që shohin në kodër, do t’u arrijë një ditë në votër. Por, po të jesh njeri dhe jo zjarrvënës kriminal, mjafton të shohësh se si e kanë reduktuar atë viktimën e mjerë të përdhunuar për të kuptuar se zjarrin e kemi tashmë të gjithë në votër.

Panorama

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...