Albert Veliu ka vijuar në rrëfimin e tij të sotëm në emisionin “Open”, duke dhënë detaje të tjera për realizimin e video-përgjimit me Agron Xhafajn, vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajn.
Sipas Babales, ka edhe SHISH përgjime të tjera, me Agron Xhafajn, që nuk janë publikuar.
Babale ka mohuar që të ketë pasur kontakte apo ndikime nga zyrtarë të PD-së.
“Nuk ka lidhje fare as me PD as me PS kjo punë. Kam takuar dy-tre veta te PD, por nuk i njoh kush janë. Nuk kam asnjë lidhje ne Ervin Salianjin. Me atë u takova atë ditë që dhashë intervistën pas publikimit të video-përgjimit. Nuk kam pirë kafe, por thjesht i kam dhënë dorën. Nuk më ka paguar askush, janë të gjitha gënjeshtra. Unë jam shtyrë në këtë gjë, ndaj zotërisë që më la rrugëve, mua dhe familjen time. PD më ka ofruar mbrojtje fizike pas publikimit të audio-përgjimit.
Ishte iniciativa ime personale për të përgjuar.
Biles, nuk janë publikuar të gjitha përgjimet, ka edhe SHISH përgjime të tjera. Kam vajtur në SHISH dhe ju kam thënë se kam informacione të detajuara për trafikun e drogës në Vlorë. Kam takuar dy punonjës të SHISH. Ju kam treguar gjithë rrjedhën e punës, si bëhej trafiku. Pas kësaj nuk ndodhi asgjë nga SHISH. Më dha edhe SHISH-i më pas mjetet e tij për përgjimet e tjera. Më afruan 150 mijë euro, që të mohoja videopërgjimin”, ka shtuar Babale.