Banorët e zonës së Astirit te Unaza e Re, në kryeqytet vijojnë protestat e tyre, kundër mos kompensimit për prishjen e banesave të tyre. Në ditën e 12 të protestës së tyre, banorët shprehen se kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për banesat e tyre. Ata mohojnë se po përdoren nga deputetët e PD siç pretendon PS. Njëri prej banorëve, tha se do t’i mbrojnë shtëpitë deri në vdekje dhe se banesat e tyre do të prishen vetëm nëse fillimisht qeveria u merr jetën.
“Kauza jonë janë banesat tona, jo partitë politike. Nëse vijnë deputetët e PS këtu ne i largojmë deputetët e PS. Ne nuk jemi me asnjë parti politike, por kërkojmë të drejtën tonë për banesat. Kanë ndryshuar projektin për të bërë pallatet e tyre. Ne nuk ndalemi nga protesta deri sa të anulohet ky projekt. 4 protestues janë arrestuar nga policia.
Projekti fillon, nga krahu i djathtë ku ndodhemi ne, nga trotuari shkon 32 metra, ndërsa në krahun e majtë shkon 10 metra, të cilën e kanë lënë bizneset vetë. Projektin na e kanë bërë me dije rreth dy javë më parë. Ka pasur projekt tjetër që i parashikonte të dyja anët 10 metra. Afati që na është thënë, kanë ardhur disa persona na kanë vënë një kryq të kuq në shtëpi na kanë thënë dilni jashtë për 10 ditë. Nuk ndalemi derisa të hiqet ky projekt. Qeveria, vetëm kur të na marrë jetën, atëherë do ti marrë objektet tona. Ne duam dëmshpërblim, cent për cent, ta ngulisë mirë Edi Rama”, thotë një nga banorët.