Presidenti Meta fjalim në Kuvend për tolerancën dhe paqen

Premte, 16 November 2018 10:48

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në Sesionin e Dytë Plenar të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancën dhe Paqen, që u zhvillua në sallën e Kuvendit të Shqipërisë me praninë e kryetarit të Kuvendit, Sh. T. Z. Gramoz Ruçi, deputetëve, të Presidentit të “Këshillit Botëror për Tolerancën dhe Paqen” Ahmed Bin Mohammed Al- Jarwan, ambasadorëve dhe diplomatëve të akredituar në Tiranë.

 

Në fjalën e Tij, Presidenti Meta u shpreh: “Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua t’ju përshëndes në këtë aktivitet mjaft të rëndësishëm të ‘Sesionit të Dytë Plenar të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancën dhe Paqen’.

 

Është një nder dhe vlerësim i merituar për Shqipërinë që të jetë mikpritëse e një eventi të tillë me impakt global. 

 

Prandaj, më lejoni të falenderoj dhe përgëzoj për iniciativën, përpjekjet dhe misionin human, organizatën ndërkombëtare të ‘Këshillit Botëror për Tolerancën dhe Paqen’, e cila ka një kontribut madhor në promovimin e tolerancës dhe paqes në krye të axhendës së qeverisjes globale.

 

Kësaj të diele në Paris, ku pata kënaqësinë të merrja pjesë në ceremoninë përkujtimore të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e cila nisi nga rajoni ku jetojmë, dhe më erdhi ndër mend një nga mendimet dhe thëniet e Presidentit Regan, se: ‘Paqja nuk është mungesa e luftës apo konfliktit, por aftësia për të menaxhuar konfliktin me mjete paqësore’.

 

Pikërisht, edhe sot pas 100 vitesh, kur shikojmë një botë të trazuar me luftra dhe konflikte etnike, fetare dhe civile, me pasoja katastrofike për miliona njerëz të pafajshëm, ndihemi të keqardhur që nuk po arrijmë të menaxhojmë konfliktet me mjete paqësore, por zgjedhim dhunën për të fituar një paqe të brishtë. Dëshmia më e gjallë e kësaj ‘zgjedhjeje të dështuar’ është konflikti në Siri, në Jemen, në Libi dhe në zona të tjera të Lindjes së Mesme.

 

Terrorizmi dhe ekstremizmi fetar po shfrytëzojnë ‘globalizmin e propagandës’. Ithtarët e tyre po përdorin instrumente jo konvencionale të dhunës për të frymëzuar përçarjen mes civilizimeve, popujve dhe kulturave të ndryshme. 

 

Ky forum dhe kjo platformë unikale ndërkombëtare e ‘Këshillit Botëror për Tolerancën dhe Paqen’, ku bashkohen përpjekjet dhe axhendat e qeverive dhe organizatave joqeveritare është në linjë me objektivat e Organizatë së Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar më së miri në promovimin e kulturës së paqes dhe tolerancës mes kombeve, në luftën kundër diskriminimit racor dhe gjinor, ekstremizmit fetar dhe etnik, si dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit mes civilizimeve dhe kulturave të ndryshme.

 

Të dashur miq,

 

Shqipëria ka një meritë të pamohueshme historike në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e vlerave më sublime të tolerancës dhe të paqes.

 

Ne jemi një vend model dhe unikal në botë për tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në mënyrë të veçantë. Është e vështirë të gjendet një vend në botë, ku pjesëtarët e së njëjtës familje mund t’u përkasin besimeve të ndryshme, ku xhamia dhe kisha ndahen nga një rrugë e vetme, dhe ku komshinjtë myslimanë dhe të krishterë urojnë dhe festojnë së bashku Bajramin dhe Krishlindjet.  

 

Historikisht, edhe pse Shqipëria ka vuajtur nga luftrat e padrejta, nga pushtimet e pamëshirshme apo regjimet, gjithmonë ka gjetur forcën për të kultivuar, për të përqafuar paqen apo për të demonstruar tolerancë.

 

Në Ballkanin e zanafillës së Luftës së Parë Botërore dhe konflikteve të përgjakura të viteve 90-të, Shqipëria dhe shqiptarët kanë kontribuar si rrallë kush me vetmohim për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit. 

 

Sfida e përbashkët e Ballkanit Perëndimor është ajo e integrimit të plotë në BE, e cila na dikton të gjithëve që ‘me përvojat e së kaluarës të shohim drejt së ardhmes’ në mënyrë që të evitojmë pasojat e së shkuarës. 

 

Ne e dimë më mirë se kushdo, se paqja është më e vështirë për t’u fituar e për t’u ruajtur se sa lufta. 

 

Ne shpresojmë dhe punojmë shumë që edhe Ballkani të përparojë drejt një epokë të re, të prespektivës europiane, pa konflikte dhe pa çështje të hapura. 

 

Shqipëria është një kontribuese e palodhur për paqen dhe bashkëpunimin dhe për politikën e fqinjësisë së mirë në rajonin tonë.

 

Shqipëria luan rolin e saj konstruktiv në nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

 

Sepse ne besojmë se arritja e një marrëveshje të qëndrueshme, e cila kërkon mbylljen e të gjitha ‘plagëve të vjetra’ do të garantonte një perspektivë europiane jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por do të forconte të gjithë perspektivën europiane të rajonit tonë.

 

Nga ana tjetër, ne inkurajojmë zhvillimet pozitive që do të çojnë drejt zbatimit të ‘Marrëveshjes për Emrin’ mes Greqisë dhe Maqedonisë. 

 

Finalizmi me sukses i këtyre dy marrëveshjeve është një garanci mjaft e fortë për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë, por dhe të vetë Europës.

 

E ardhmja në paqe, në tolerancë dhe në bashkëpunim në rajonin tonë, qëndron në mësimin se të gjitha kombet tona në këtë rajon, në çdo shtet, janë diku shumicë dhe pakicë. 

 

Dhe e vetmja rrugë për një bashkëjetesë të qëndrueshme e të përhershme, është përdorimi i standardeve të njëjta të respektimit të minoriteteve nga të gjithë ne.

 

Dëshiroj ta mbyll këtë fjalë të shkurtër me arsimin dhe edukimin e të rinjve, si shtylla kurrizore më e rëndësishme e çdo shoqërie.

 

Unë besoj se produkti dhe suksesi më i madh i edukimit në radhë të parë është kultivimi i tolerancës mes fëmijëve dhe të rinjve tanë.

 

Aty ku ka injorancë, ka varfëri, ka konflikte, ka arrogancë, ka keq-qeverisje.

 

Aty ku ka injorancë, ka potencial të lulëzojë ekstremizmi i të gjitha llojeve dhe të triumfojë totalitarizmi. E kundërta është e vërtetë. 

 

Shtetet dhe kombet që kanë investuar në arsimimin e brezave të rinj kanë garantuar zhvillimin dhe prosperitetin e shoqërive të tyre.

 

Prandaj, paqja dhe toleranca asnjëherë nuk mund të jenë vlera dhe asete të përhershme nëse nuk investojmë më shumë dhe vazhdimisht në kapitalin njerëzor, sidomos te fëmijët dhe të rinjtë tanë.

 

Duke shpresuar se po e kaloni shumë mirë në Tiranë, dhe duke ju kujtuar se Tirna, pavarësisht se është shumë e bukur, përsëri është në vështirësi të konkurojë me pjesët e tjera të Shqipërisë, shpresoj të riktheheni përsëri në Shqipëri dhe njëkohësisht të përçoni mesazhet më të mira për paqe, për tolerancë dhe bashkëjetesë nga kombi i Nënë Terezës!”

Modifikuar më Premte, 16 November 2018 11:13
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...