Deputetja e LSI, Klajda Gjosha ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, në lidhje me Buxhetin e vitit 2019 nga qeveria.
Gjosha thekson se ky buxhet duhet quajtur ‘Buxheti i Dëbimit të Trurit’, pasi tre çështjet më kryesore si arsimi, punësimi dhe meritokracia, nuk janë pjesë fare e këtij buxheti të ardhshëm.
Gjosha thekson se reforma në arsim dhe cilësia në mësimdhënie duhet të ishin prioritet kryesor që të përkthehej edhe në shifra sepse shkenca vazhdon të mbetet një sektor i varfër ku kultura e kërkimit shkencor duket si mesjetë.
Statusi i plotë i Gjoshës:
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur dje një nevojë jetike që ka sot Shqipëria, siç është ndalimi i emigracionit dhe lidhja e drejtë për drejtë me prioritetet e buxhetit të vitit të ardhshëm.
Ne po përballemi prej disa vitesh me fenomenin e largimit në masë të qytetarëve drejt vendeve më të zhvilluara. Disa nga pamundësia ekonomike, shumë prej tyre nga depresioni i thellë shoqëror në të cilën po kalon vendi por ajo çka është më e dhimbshme është largimi i trurit, i shtresës së mesme, profesionistëve dhe rinisë.
Nëse buxheti i 2019 do të kishte një prioritet, ai duhet të ishte me patjetër ‘Buxheti i rikthimit të Trurit’ por që fatkeqësisht është ‘Buxheti i Dëbimit të Trurit’!
Tre momente janë të rëndësishëm dhe që nuk vërehen në asnjë çast si pjesë e buxhetit të ardhshëm:
Aksesi në Arsim. Reforma në arsim dhe cilësia në mësimdhënie duhet të ishin prioritet kryesor që të përkthehej edhe në shifra. Shkenca vazhdon të mbetet një sektor i varfër ku kultura e kërkimit shkencor duket si mesjetë.
Aksesi në Punësim vazhdon të mbetet problemi më i madh pasi filozofia e qeverisë është goditja e biznesit nëpërmjet taksimit të lartë dhe gjobave. Klima mbështetëse ka vite që nuk ekziston më. Përfshirja në TVSH e biznesit me mbi 2milion Leke të ardhura ka sjellë mbylljen e rreth 11.214 bizneseve në vetëm 9 muajt e 2018. Për të mos analizuar më pas monopolizimin e investimeve në vetëm pak duar dhe duke e drejtuar vendin drejt mbylljes së mundësisë për investime të huaja.
Nevoja për meritokraci, siguri në punësim dhe vazhdimësi karriere. Nëse duhet të mbështesim profesionistët duhet nisur nga rritja e pagave, e deri te sistemi i rritjes në detyrë, në bazë të vlerësimeve periodike. Nëse nuk arrijmë të motivojmë punonjësit, largimi i trurit për fat të keq do të kthehet në fatkeqësi kombëtare.