Meta takohet me homologen kroate për sfidat për sigurinë, bashkëpunimin dhe integrimin

E mërkurë, 21 November 2018 16:57

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nisi vizitën zyrtare në Kroaci dhe zhvilloi në Bashkinë e Zadarit, një takim me Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, ku diskutuan mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat.

Presidentja Grabar-Kitarović ripërsëriti mbështetjen e palëkundur të Kroacisë dhe të sajën personale për integrimin europian të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në gjirin e familjes së madhe europiane.

Presidenti Meta shprehu vlerësimet më të mira për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kroacisë, midis shqiptarëve e kroatëve.

“Kontributi i rëndësishëm, vetëmohimi dhe sakrificat e shqiptarëve në luftën heroike për pavarësi të Kroacisë janë tregues i kësaj miqësie të veçantë”, theksoi Presidenti Meta.

Duke vënë në dukje se këto marrëdhënie të shkëlqyera janë model në rajonin tonë, sepse mbështeten në lidhjet e forta historike mes dy kombeve dhe vizionin e përbashkët drejt së ardhmes euroatlantike, Presidenti i Republikës nënvizoi faktin se të dyja vendet anëtare të NATO-s ndajnë jo vetëm sfidat, por edhe përgjegjësitë për paqen dhe sigurinë si dhe për zhvillimin ekonomik në Europën Juglindore dhe hapësirën Adriatiko-Joniane.

“Së bashku përballemi me çdo rreziku që cenon mirëqënien, zhvillimin dhe paqen në rajon, përballë çdo tentative e përpjekjeje që shkon kundër qasjes së harmonisë e bashkëpunimit mes vendeve dhe popujve të rajonit tonë.
Këto janë arsye të qenësishme që marrëdhëniet tona të ngrihen në nivelin e partneritetit strategjik dhe të forcohen në interes të një bashkëpunimi edhe më cilësor”, u shpreh Presidenti Meta.

Presidentja e Kroacisë, Grabar-Kitarović theksoi se krahas mbështetjes së palëkundur për integrimin e Shqipërisë, është e rëndësishme që të punojmë së bashku për mbrojtjen e detit Adriatik nga ndotja, gjë që është jetësore për vazhdimësinë e veprimtarive detare.

Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović diskutuan edhe me Prefektin, Kryebashkiakun dhe kreun e Dhomës së Tregtisë së Zadarit, duke vënë theksin te rritja e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtarë në fushën e peshkimit, transportit detar, turizmit.

“Mundësitë janë shumë të mëdha që ne të rrisim shkëmbimet ekonomike-tregtare duke bashkëpunuar në shfrytëzimin e bregdetit tonë, duke mbrojtur detin Adriatik nga ndotja në mënyrë trepalëshe së bashku me Malin e Zi, dhe zhvillimin e turizmit.
Një vëmendje e veçantë duhet treguar edhe ndaj veprimtarive të përbashkëta kulturore dhe artistike, me synim e ruajtjes së trashëgimisë së vjetër kulturore, traditat dhe gjuhën e Arbanasve”, nënvizoi Presidenti Meta.

Të dy Presidentët theksuan rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit midis universiteteve të dy vendeve ku Universiteti i Zadarit si mjaft i njohur dhe me traditë do luajë një rol më të rëndësishëm në të ardhmen duke nisur nga 11 dhjetori i ardhshëm kur në Tiranë do të organizohet një event i rëndësishëm për promovimin e gjuhës kroate dhe Kroacisë.

Modifikuar më E mërkurë, 21 November 2018 17:19
Login to post comments