Deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj në një deklaratë për mediat sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa akuzoi këtë të fundit se ka në plan për të përçarë qytetarët.
Teksa u ndal tek protesta e banorëve të Unazës së Re, në emër të LSI-së Mehmetaj tha se Rama pavarësisht se u premtoi atyre legalizime, me këtë projekt do të fitojë miliona euro.
Po ashtu ajo theksoi se në protestat e këtyre banorëve janë futur edhe persona provokatorë, për të sjellë incidente.
“Këto metodat e Ramës nuk do i trembin qytetarët. Të lënë në rrugë, banorët vazhdojnë të protestojnë për shtëpinë e tyre. Kryeministri dhe e gjithë struktura e Policisë së Shtetit duhet të japin shpjegim para qytetarëve për të gjithë rastet e dhunës. Duhet të japin shpjegime se pse gjatë protestave vendosen provokatorë, që synojnë të sjellin provokime dhe tensione. (Tregon disa foto) Ja një rast kur dhunohet një minoren dhe një tjetër. Ka ndonjë fjalë që mund të tregojë më shumë sesa rasti i thinjave të kësaj nëne (Tregon foto)”, tha Mehmetaj.