Deputetja, Albana Vokshi, përcolli në Forumin e Grave të Partisë Popullore Europiane, të zhvilluar në Ljubjanë, shqetësimin se vendosja e një regjimi autokratik në Tiranë ka thelluar edhe dhunën ndaj grave dhe cënimin flagrant të të drejtave të njeriut.
Për ta konkretizuar këtë shqetësim, zonja Vokshi iu referua edhe ngjarjeve të fundit ku dhjetëra gra e të mitur kanë qenë viktima të dhunës shtetërore dhe asaj policore. “Qindra familje shqiptare, po nxirren me dhunë nga shtëpitë dhe bizneset e tyre në shkelje të konventave ndërkombëtare e të drejtave ligjore e kushtetuese për realizimin e një projekti korruptiv rrugor për interesat direkte të kryeministrit”-tha zonja Vokshi në PPE.
Vokshi vuri në dukje se “Shqipëria, po shndërrohet në eksperimentin më të rrezikshëm të autokracisë, ku nuk respektohet Kushtetuta, Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat Themelore. Dhuna kundër grave dhe të miturve këto ditë në Tiranë është një skandal i korrupsionit shtetëror, që kushton 40 milion euro dhe që penalizon qindra familje, duke i hedhur në rrugë, pa ju siguruar strehim e kushte normale jetese, ashtu sic konventat ndërkombëtare detyrojnë qeveritë të veprojnë.”
Deputetja Albana Vokshi kërkoi që anëtaret e EPP Women, pjesë e Komisionit Europian, Parlamentit Europian, deputete e politikane të vendeve anëtare, të mbështesin këtë kauzë të drejtë të mbi 2 mijë banorëve të Tiranë. "Kërkoj mbështetjen tuaj për të përcuar shqetësimet e mijëra qytetarëve shqiptarë për shkeljen e të drejtave që mbrohen nga konventat ndërkombëtare prej projektit korruptiv të Qeverisësë Tiranës. Në asnjë vend europian një kilometër rrugë fushore nuk kushton 20 milione euro. Ne kemi nevojë të flasim më një zë e të jemi të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta europiane, që nisin nga mbrojtja e familjeve.
Znj Doris Pack, Presidente e EPP Women shprehu shqetësimin e madh për ngjarjet në Shqipëri dhe rastet e fundit të dhunës e të shkeljes së të drejtave të grave e të drejtave të njeriut, pjesë e kriterit nr. 5 në procesin e integrimit. Znj. Pack, e cila u rizgjdh si presidente e EPP Woman, konfirmoi mbështetjen e Forumit të Grave të PPE në mbrojtje të të drejtave të ligjshme të qytetarëve.