Protesta s’do të mund të ndalet…

Hënë, 24 December 2018 10:06

NGA KASTRIOT ISLAMI

 

1- Protesta e studentëve, po ti hidhet një vështrim i shpejtë, duket se ishte e bazuar vetëm në disa kërkesa ekonomike, për uljen e tarifave të studimit, e për kushte më të mira në konvikte e auditore, për rritjen e buxhetit për arsimin, për shfuqizimin e ligjit të arsimit, e tjerë e tjerë.

Në realitet, kështu nisi kjo protestë, siç kanë nisur dhe nisin të gjithë protestat studentore apo qytetare në të gjithë botën. Me disa kërkesa ekonomike prapa së cilave duket se fshihet një zemërim i konsiderueshëm mbarëpopullor, i akumuluar prej vitesh, që aktualisht nuk përmbahet më dhe ka filluar të derdhet.

2- Pjesëmarrësit janë përpjekur ta mbajnë protestën jopartiake, ndonëse mes tyre nuk kanë munguar studentë të forumeve rinore të cilët nuk janë lejuar nga shumica studentore jashtë partive të përcaktojnë rrjedhën e kësaj proteste.

Po ashtu edhe vetë studentët e forumeve rinore për të ruajtur masivitetin e protestës kanë preferuar protestën apartiake, sepse shumica e pjesëmarrësve studentë nuk kanë qenë të angazhuar në forumet rinore të partive politike. Kjo shpjegon përse studentët në shumicë kanë kërkuar që partitë politike të qëndrojnë larg protestës.

3- Por po të analizohet me vëmendje e racionalisht edhe kjo protestë, duke qenë shprehje e zemërimit të akumuluar jo vetëm të studentëve por edhe të familjeve te tyre e të qytetarëve nga shtresa e profesione të ndryshme, është në thelb me natyrë politike si përsa i përket synimeve ashtu edhe mekanizmave të arritjes së objektivave, e mbi të gjitha zgjidhjes së kërkesave të tyre.

4- Nuk ka asnjë dyshim, se në shumë këndvështrime protesta është aktualisht antiqeveritare, pra kundër qeverisë aktuale e cila drejton vendin prej 6 vjetësh dhe është normale të jetë e tillë. Të gjithë kërkesat, ndonëse të shprehura me kujdes, janë qartësisht kundër keqqeverisjes aktuale, kundër papunësisë e varfërisë dhe polarizimit ekstrem të shoqërisë pra hendekut të madh mes të varfërve e të pasurve, të akumuluara prej vitesh, por thelluara e të përkeqësuar me shpejtësi nga kjo qeveri dhe ajo që e bën fuqimisht antiqeveritare këtë protestë, janë premtimet e pambajtura të kësaj qeverie dhe mbi të gjitha tallja e arroganca e Kryeministrit me studentët si dhe tentativat për ta copëzuar protestën apo përvetësuar atë nga qeveria.

5- Studentët po ashtu si edhe qytetarët në përgjithësi kanë qenë madje të revoltuar nga tentativat e medias të kontrolluar nga Rama që ose e kanë keqpasqyruar protestën ose kanë tentuar ta paraqesin atë të fragmentuar apo akoma më keq janë përpjekur ta paraqesin të politizuar me synimin ose për të shuar ose për të lejuar qeverinë ta përvetësojë atë.

6- Nuk mund të ketë protestë që i drejtohet qeverisë apo kundër veprimeve të qeverisë që të jetë apolitike, ndonëse ajo mund të jetë apartiake. Për më tepër që kjo protestë e studentëve, për nga thellësia dhe gjerësia, nuk duket një protestë e thjeshtë sepse ajo përmban brenda saj zemërimin e akumuluar, jo vetëm për kushtet e shkollimit por edhe zemërimin e thellë të familjeve të tyre si dhe pasigurinë për të ardhmen e tyre.

7- Kjo protestë e thjeshtë studentore, është shprehje e zemërimit të akumuluar popullor, për polarizimin e tejskajshëm të shoqërisë, në të pasur që vazhdojnë të pasurohen me ndihmën e qeverisë me shpejtësi dhe në të varfër që shtohen në numër dhe gjendja e të cilëve përkeqësohet çdo ditë. Pra në çdo rast kërkesat e studentëve do të kërkonin zgjidhje politike e madje edhe më shumë se kaq.

8- Me shumë gjasa, kjo protestë, nëse do ti referoheshim zemërimit të akumuluar, jo vetëm studentor, por edhe qytetar, gati për tu derdhur, do të zgjerohej e të përshkallëzohej. Zor se mund të ketë shuarje të saj apo kthim mbrapsh të këtij reagimi studentor e qytetar, çfarëdo që të bëjë a tentojë kryeministri, qoftë me arrogancë apo me mashtrime a mjete represive.

9- Tentativat e kryeministrit për ta përvetësuar protestën apo për tu bërë pjesë e saj, siç ka deklaruar, janë qesharake. Aq më e marrë dhe e turpshme është përpjekja e kryeministrit për tu shndërruar në protestues dhe marrë më tej drejtimin e saj. Si dhe tentativat për të shuar protestën, duke sulmuar si opozitën ashtu edhe kundërshtarët e brendshëm, dhe akoma me keq duke menduar për tja hedhë kësaj gjendjeje duke bërë disa arnime në qeverinë e tij të dështuar apo duke i hedhur vetëm disa thërrime studentëve e shpërblyer oligarkët me para dhe poste qeveritare.

10- Përmbledhtas mund të pohohet se Rama prej disa ditësh tentoi ta copëzonte e rrudhte protestën, duke i provokuar dhe lodhur protestuesit me tezën e “dia-monologut”. Kjo tentativë duket rezultoi një opsion i dështuar. Kjo protestë demonstroi se qeveria është e shkëputur tërësisht nga hallet e shqetësimet e studentëve duke qenë tërësisht inekzistente dhe e paaftë për të reaguar e plotësuar kërkesat e studentëve.

Për më tepër që veprimet tinzare dhe marifetet e Ramës ngjallën neveri e reagim negative deri shpërthyese duke e stigmatizuar Ramën si përgjegjësin kryesor e të vetëm të kësaj gjendjeje. Atëherë Rama gjykoi të hedhë në treg mashtrimet e radhës. Të godasë kundërshtarët e brendshëm për keqorientim dhe keqmenaxhim të protestës. Të largojë disa ministra si përgjegjësit e gjendjes së krijuar dhe që nuk e kishin vënë në dijeni për situatën e rëndë, pra shkëputje nga realiteti. Dhe së fundmi të godasë fuqimisht opozitën dhe median opozitare si organizatore të kësaj proteste.

11- Në të ardhmen e afërt, pra në ditët apo javët në vijim, me shumë gjasa kjo protestë, ndoshta në madhësi jo aq të madhe sa më pare (kjo është e parëndësishme se shumë shojet ajo do të shndërrohej në mbarëkombëtare), me siguri do të shndërrohet në një lëvizje me synime dhe objektiva të shprehur politikë. Sepse problemet e shumta janë aty, të vjetra e të reja, dhe vetëm shumohen e zmadhohen, ndërkohë që zemërimi i grumbulluar do të vazhdojë të rritet deri në shpërthim të papërmbajtshëm.

Askush nuk duhet të ketë dyshimin se kjo protestë, herët a vonë, por me siguri shumë shpejt, do të shpërthejë dhe nuk do të jetë e largët dita që kërkesat e tyre me natyrë tërësisht politike të fillojnë të gjejnë zgjidhjen adekuate politike. Çdo tentativë, për ta devijuar apo shuar atë, do të dështonte dhe ajo shumë shpejt do të zgjerohej e përshkallëzohej për tu bërë e papërmbajtshme e ndoshta edhe më radikale.

/SYRI.NET/

Login to post comments