Në 2019-n, Rama futet në hullinë e paradoksit

E Enjte, 27 December 2018 16:57

Nga Ilir Nikolla

2019-a mund të jetë gjithçka për politikën shqiptare, vetëm një vit i zakonshëm jo. Po e mbyllim 2018-n me një stinë protestash, e cila ka lënë pezull gjithçka dhe do të jetë mitra që do prodhojë surprizat e para. Përpjekja e Edi Ramës për t’i vënë disi nën kontroll këto surpriza është një tregues i trishtë i karikaturës putiniste që ai po imiton në realitetin e pakrahasueshëm të Shqipërisë. Shqiptarët nuk janë rusët, që jetuan mbi 100 vjet nën diktaturën staliniste e që zhdukën me rrënjë e me degë çfarëdolloj kujtese për qeverisjen e mirë dhe ndjesinë e pronës. Në Shqipëri qendron sot e kësaj dite e rëndë si plumb trashëgimia pozitive e qeverimit të Zogut, krahasimi me të cilin i thyen kokën çdo autokrati të vogël që synon të ndalë qeverimin në sinoret e oborrit të tij personal.
Prandaj Edi Ramës pritet t’i ngecë edhe loja me porta të vogla që ka nisur qysh në këtë fundvit, me ëndrrat për drejtimin e protestës studentore, në këmbim të njoftimit të disa ndryshimeve në kabinet, si shenjë e vullnetit të mirë se qeverisja do t’ja dalë dhe protesta nuk do përballet me muret e kryeministrisë. Mizanskena me “8+” pikat e përmbushura është një teatër që mund të ketë efekte brenda gardhit, por nuk mund të errësojë nevojën ulëritëse për zgjidhje të problemeve të studentëve dhe aq më tepër nevojën e pakapërcyeshme për restaurimin e institucionit të votës, para 30 qershorit kur planifikohen zgjedhjet vendore.
Këto urgjenca duhet të marrin zgjidhje se s’bën në 2019-n, prandaj edhe qeverimi i Edi Ramës pritet të futet në hullinë e paradoksit. Ai vetë ka përgjegjësinë për të propozuar zgjidhje e për të gjetur konsensus, në rast se dëshiron të mbetet në lojën e politikës e jo të përpiqet të gjejë zgjidhje në parapolitikë. Për t’i kërkuar këto zgjidhje, ai është i detyruar që për çdo rast të ofrojë dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, bile për disa marrëveshje të rangut kombëtar, flukse brenda socialistëve mund të kërkojnë edhe largimin e tij nga drejtimi i Partisë Socialiste.
Rama nuk është se nuk e di paradoksin ku po futet dhe disa herë, sipas rregullës së “lapsus freudiano”, ka bërtitur në publik se nuk do t’i nënshtrohet thirrjes “thellohu, thellohu”. Kujtimet e gjyqeve popullore në diktaturë po i vijnë si shkulme tani që i ra miti i pathyeshmërisë, nga protesta horizontale e studentëve në të gjithë vendin dhe ku fundet e grupeve armiqësore kalonin gjithmonë përmes thirrjes së prokurorit komunist: “i pandehur, thellohu, thellohu”.
Rama është treguar aq transparent sa të na njoftojë se e njeh statusin e paradoksit në të cilin po futet në 2019-n, por zgjidhjet që ofron, duke tentuar të shpallet lider i protestës, sipas shembullit ramizist, për ta shpërndarë në 1990-n Partinë e Punës në disa organizata-leva, që mund të simulonin “pluralizmin e mendimit”, garantojnë të njëjtin rezultat.
Protesta ka rregullat e veta dhe qysh këto ditë, me panikun që rrëfeu ndaj protestës supermediatike të disa përfaqësuesve të diasporës, Rama po rrëfen se paradoksin e 2019-s do ta luftojë me metodat tradicionale putiniste të shekujve 19-20, pra me represion dhe me refuzim për të marrë përgjegjësi. Paradoksi i 2019-s nuk mund të ketë zgjidhje tradicionale, që edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet, siç po e kërkon mendja otomane e kryeministrit tonë. Për paradokset, kemi veç shembullin e nyjes gordiane. Ajo këputet dhe realiteti i ri merr formë vetvetiu. Në dashtë Rama t’i shkëpusë paraprakisht lidhjet me nyjen që ka mpleksur vetë, ndoshta ai mund të lërë ndonjë shenjë më 2019-n, por siç duken bathët, marrja e përgjegjësive dhe pranimi i dështimit s’është bukë për gojën e një parapolitikani që ka 20 vjet që i ka zënë derën pushtetit në Shqipëri. 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...