Analiza e Fatos Lubonjës për ndryshimet në Qeveri: Ministra apo kuaj karroce

Saturday, 05 Janar 2019 13:45

Me aq sa e njoh historinë, nuk më rezulton që në ndonjë vend normal të jenë ndërruar përnjëherë 8 ministra të qeverisë dhe kjo të jetë paraqitur nga Kryeministri jo si shenjë krize politike, por si tregues i suksesit në punë të ministrave të shkarkuar. Në vende demokratike jo që jo, por as në ato që quhen regjime nuk kam dëgjuar të ndodhë një gjë e tillë, pa i futur regjimit epitetin “grotesk” nga prapa. Sepse me këtë logjikë i bie që i pari që do të duhej të shkarkohej për meritat e tij të mëdha duhet të ishte Kryeministri. Jo, jo, kjo mund të ndodhë vetëm në një regjim ku njeriut që është në krye i ka marrë koka erë, dmth., ka lajthitur fare dhe prandaj ministrat nuk i trajton si ministra, por si kuaj.

Dikujt mund t’i shkojë ndërmend se po heq një paralele midis Kryeministrit dhe Kaligulës, që emëroi senator kalin e tij, për t’u tallur me gjithë të tjerët. Jo, jo, nuk kisha parasysh kalin e Kaligulës, ndonëse nuk e mohoj se kam një përçmim dhe neveri të pamasë për ministrat e shkarkuar, që deri ditën e fundit në detyrë nuk reshtën së bëri keq. Krahasimi i ministrave me kuaj më erdhi kur lexova deklaratën e Edi Ramës, i cili tha se shkarkimi i tyre bëhet për të shtuar shpejtësinë e karvanit, që ai të ecë edhe më shpejt, si dhe komentin e tij se, sa më shpejt ecën karvani, aq më shumë lehin qentë. Duke e menduar si të lajthitur, mendimi i parë që më erdhi ishte se lehja e qenve i jep Kryeministrit një kënaqësi të paparë dhe prandaj, që ai të mund të provojë këtë kënaqësi të parezistueshme, duhen kuaj të freskët që të shtojnë shpejtësinë e karvanit sepse këta që ishin, janë të lodhur. Do të thoni ju të dashur lexues, po Kryeministri, që duhet të konsiderohet kali më i fuqishëm i karvanit, si ka mundësi që nuk është lodhur?

Këtu më duket se duhet t’i bëj një përshkrim më të detajuar karvanit. Qeverinë duhet ta imagjinojmë si një karrocë lokomotivë që tërheq e udhëheq karvanin pas saj. Kjo karrocë vërtet tërhiqet nga kuajt, por Kryeministri nuk është kryekali, por karrocieri që ka për detyrë të fshikullojë kuajt që ata të ecin sa më shpejt, mundësisht të fluturojnë. Sepse, siç e thashë, nuk jemi në një demokraci ku Kryeministri konsiderohet i pari ndër të barabartët, apo “primus inter pares” siç i thonë latinisht, por në një regjim të lajthitur.

Por problemi ynë kryesor nuk është nëse jemi regjim apo demokraci. Problemi kryesor është: për ku po vrapon karroca me kaq shpejtësi dhe ku po na çon? Nëse do të nisemi nga fakti se karrocieri i konsideron suksese ato që ka arritur gjatë vitit 2018 dhe kërkon ta rrisë shpejtësinë e këtyre sukseseve, atëherë, duke pasur parasysh se suksesi më i madh që ka arritur gjatë vitit që sapo shkoi është rritja e shpejtësisë së vjedhjeve (me koncesione, me tendera me bashkëpunim me krimin e organizuar dhe të çorganizuar) i bie që vjedhja të jetë drejtimi për kah po shkojmë. Pra, megjithëse shpejtësia e karrocës është rritur aq shumë saqë njerëzit kanë zbritur prej karvanit dhe janë nisur për jashtë shtetit, duke ua lehtësuar peshën e tërheqjes kuajve, karrocieri nuk është i kënaqur. Ai do të vjedhë edhe më shumë, edhe më shpejt, edhe më lart. Prandaj, i duhen kuaj të freskët. Dikush do më thotë se kjo s’ka lidhje me çmendurinë, po me hajdutërinë e një tufe rrufjanësh të pacipë. Sipas meje, edhe kleptokratët kanë një pjesë racionale, me të cilën planifikojnë në detaje vjedhjet e tyre, por kanë edhe pjesën e çmendur që i bën të mos jetojnë dot pa vjedhur. Po merreni si të doni karrocierin tonë, si rrufjan të pacipë apo si të çmendur. Nuk kemi kohë t’i bëjmë diagnozën. Duhet të nxitojmë të shkëpusim karvanin tonë nga karroca e tij dhe pastaj në djall të shkojë me gjithë kuaj, se përndryshe nuk dihet se në ç’greminë do të përfundojmë.

(Marre nga gazeta "Panorama", 5.01.2019)

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...