Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale është shprehur në lidhje me emërimin e Eduart Shalsit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së Sipërmarrjes.
Shehu është shprehur se Rama po tenton të lidhet më shumë me Kinën, pas bllokadës që i ka vënë perëndimi.
“Emërimi i Shalsit në postin e Ministrit të Mbrojtjes së Sipërmarrjes ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve me Kinën, me qëllim një afrim edhe politik me këtë vend, për të “çarë bllokadën”, që Perëndimi po i bën këto vite qeverisjes së Rilindjes.
Shalsi prej kohësh njihet edhe prej partnerëve tanë si një “pilaster” i lidhjeve me Kinën, që po punon për të “zhvendosur” ekonominë e Shqipërisë drejt Lindjes.
Pa dyshim ky është një sinjal tjetër i fortë politik në panik i Kryeministrit në braktisje, si dikur Hoxha, por që bie qartësisht ndesh me politikat amerikane e evropiane, me interesat jetike të vendit tonë.
Në qoftë se prej 5 vitesh nuk ka asnjë investim serioz perëndimor në Shqipëri, shkaku janë politikat shkatërruese të kësaj Qeverie, vizioni i saj lindor, elementë të cilët Kryeministri kërkon t’i thellojë nëpërmjet mesazherit të tij për deri në Kinën e largët”, shkruan Tritan Shehu.