Çfarë duhet të ndodhë më shumë që Shqipëria të klasifikohet si një vend i goditur nga katastrofa. Në vend janë dy qeveri, një e vdekur dhe e pavarrosur dhe një e re, ende e palindur e me shumë gjasa aborti. Asnjë institucion nuk funksionon, buxheti i shtetit është i paralizuar ende pa dalë, shkollat ngritën alarmin e falimentimit që me borën e parë, kurse për universitetet më mirë të mos flasim, ato janë në kolaps prej muajsh dhe kanë shpallur kryeministrin si fajtorin kryesor të gjendjes.
Në këtë atmosferë të katastrofës, Edi Rama ka kohë të eglendiset në watsapp deri në 3 të natës, si pjesë e një strategjie për t’u dukur se është në krye të punëve dhe se në Shqipëri mbretëron normaliteti. Me të njëjtën strategji, ai flet për VKM që janë firmosur në favor të studentëve, por ende s’janë publikuar, e më pas që janë publikuar, por end sekretaritë e universiteteve s’e paskan marrë vesh. Ai flet për bashkëqeverisje me qytetarët dhe për opozitë e media që s’ja duan të mirën, por që do i marrin të keqen, pasi ai do jetojë një mijë vjet dhe në Shqipëri për një mijë vjet do të mbretërojë normaliteti.
Por perdja e normalitetit mori një zhvirgjërim të fortë mbrëmë kur protestues të Unazës së Re ia behën në oborrin e sarajeve të tij në Surrel, enigma më e ruajtur e “Rilindjes”, qysh nga 2012-a, kur thuhet se u ndërtuan sarajet. Atje, në derën e luksit dhe paligjshmërisë, protestuesit nxorën gafil shtetin prej kartoni të Sandër Lleshit, por edhe shpallën legjitimimin e paralizës së jetës publike. Rrethimi i Surrelit është shprehja më e fortë e mosbindjes civile që po ndodh në Shqipëri, e cila edhe pse s’shpallet formalisht, mbretëron legjitime në universitete, shkolla, kazino, biznese e institucione.
Është një paralizë e zhurmshme, e dukshme, masive dhe me të gjitha premisat të jetë afatgjatë. Ajo nuk errësohet dot as nga konferencat permanente të kryeministrit, as nga piruetat me alokime fondesh, sa për të shuar një protestë, sa për të blerë një protestues, dhe ç’është më shpresëdhënësja, kjo paralizë ushqehet nga shumë vatra rezistence, që s’kanë asnjë dëshirë të negociojnë me kryeministrin.
Marrja akt për këtë gjendje, mund të jetë e vetmja sjellje politike e kryeministrin ende në detyrë e pa asnjë ministër në dikasteret e rëndësishme. Nëse vijohet me pazare të reja, si fjala vjen mbështetja e shitjes së territoreve të Kosovës, për të mbyllur plagët e vjetra, vatrave të rezistencës nuk ua ndjen për kësi pazaresh dhe media të vërteta ndërkombëtare tashmë e kanë mësuar këtë.
S’ka rrugë tjetër përveç njohjes së paralizës. Sa më shpejt të bëhet ky akt politik, aq më pak kosto do paguajmë në procesin e gjatë të normalizimit të jetës sociale në vend.