Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka denoncuar sot përmes një postimi në facebook, inspektimin e Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në spitalin e Burrelit.
Për Spahian ky inspektim vjen pas peticionit të mjekëve për dështimin e sistemit të patronazhimit.
“Pas shkërmoqjes së propagandës fasadë të ministres se fundi edhe nga peticioni i mjekëve për dështimin e sistemit të patronazhimit, ministrja Ogerta Manastiliu detyrohet të niset me urgjencë drejt spitalit të Burrelit. Patronazhimi dështoi e nxori në pah situatën e rëndë në gjithë sistemin shëndetësor me mangësi bazike të cilat vërtetojnë se minimumi kjo ministre nuk njeh situatën, e nga ana tjetër mendon se mund ta mbulojë me propagandë.” Shkruan Spahia ndërsa shton se c’ka u trumbetua si sukses i madh, në fakt ka nxjerrë në pah injorancën dhe paaftësinë totale që mbizotëron sot në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Babëzia, injoranca dhe mungesa e vullnetit për të mësuar janë kombinimi që po shkatërron sistemin e shëndetësisë. Gjithsesi jam i bindur se ministrja, rrugës për në Burrel ka patur rastin të diskutojë e t’i japë zgjidhje si zakonisht këtyre cështjeve, me numrin dy të kësaj ministrie….FOTOGRAFIN” –përfundon reagimin e tij deputeti demokrat.