Liderët e opozitës vazhdojnë të qëndrojnë mes qytetarësh duke i mbështetur ata. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po i provokon protestuesit përmes oficerëve të policisë.
“Unë jam këtu si qytetare dhe do të vijoj të qëndroj, pavarësisht helmimit dhe gazit lotsjellës që po lëshon Garda e Republikës. Policia le të shkojë e të ndalojë personat e dhunshëm, pasi nuk ka asnjë të drejtë të hedhë gaz lotsjellës mes nesh që po protestojmë paqësisht. Le të ndalë dhunuesit dhe të mos provokojë, por nuk i ndalon policia ata.
Ne jemi këtu për t’u thënë qytetarëve që jemi me ta dhe jemi si ata, për të protestuar dhe qëndruar paqësisht. Unë e para dhe të gjithë ne që e bëmë Edi Ramën kryeministër në 2013-ën, e meritojmë të helmohemi akoma më shumë për këtë fatkeqësi të madhe që u bëmë shqiptarëve.”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi deklaroi se Rama po mundohet të bëjë rolin e viktimës përmes provokimit.
“Mos u bëni avokate e Edi Ramës, o do flasësh ti në intervistë o do flas unë. Pse se hapi kordonin për mua ai, por më hodhi gazlotsjellës?! Pse i hodhi gaz lotsjellës këtyre grave e vajzave? Ai do pendohet për lotët e këtyre vajzave e grave.
Protesta e studentëve na dha mësimin më të mirë. Vetëm përmes provokimit ai dë të bëjë rolin e viktimës. Nuk po flas më për plumbat e gomës që kanë hedhur ndaj qytetarëve. Ja ku i keni, shikojini.”, tha Kryemadhi.
Sikurse shihet në videon e mëposhtme, protestuesit po shpërndahen sa herë që policia lëshon gaz lotsjellës në shesh. Ata të shoqëruar nga liderët e opozitës, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e figurat e tjera të rëndësishme të opozitës si Sali Berisha e Petrit Vasili largohen për të marrë veten për pak minuta. Rikthehen përsëri dhe në sulmin e radhës me gaz rishpërndahen. Por protestën nuk po e lënë.