Policia dhe Garda e Republikës ka përdorur në protestën e sotme gaz lotsjellës, jo vetëm ndaj disa protestuesve para derës së Kryeministrisë, por edhe në masën e madhe të qytetarëve që protestonte paqësisht disa qindra metra larg hyrjes së godinës qeveritare.
Kamerat e mediave kanë filmuar momente kur oficerë të Gardës kanë qëlluar edhe në zonën afër godinës së Parlamentit ku ndodheshin deputetët e opozitës dhe krerët e partive opozitare. Në protestë, ka fëmije, vajza dhe gra që vetëm si protestues të dhunshëm nuk mund të quhen. E megjithatë, policia ka vënë në përdorim metoda dhe mjete ushtarake që ngrenë pikëpyetje për ligjshmërinë e tyre.
Deputeti i LSI, Edmond Panariti thotë se kemi të bëjmë me nja gaz ushtarak, i cili është i ndaluar të përdoret, sipas Konventave Ndërkombëtare. “Nga simptomat që tregojnë njerëzit duket si gaz lotsjellës ushtarak. Nëse kjo verifikohet kemi të bëjmë me një krim të paramenduar. Përdorimi i gazit lotsjellës është i ndaluar për t’u përdorur në operacione ushtarake, sipas konventës për ndalimin e përdorimit të armeve kimike të vitit 1993. Shqipëria e ka firmosur këtë konvente krahas 190 vendeve të tjera”,- shprehet Panariti.
Ai shton se “përdorimi në mënyrë të kufizuar i këtij gazi, për të neutralizuar persona të dhunshëm është i parashikuar, por vetëm nën kontroll procedurial rigoroz dhe të orientuar eksluzivisht ndaj individit dhe individëve të dhunshëm. Madje edhe në të tilla raste duke qenë se rrymat e ajrit mund ta përhapin me lehtësi këtë gaz, zakonisht për neutralizimin e individëve të dhunshëm përdoret gaz “spray” me rreze të kufizuar”.
Nëse vërtetohet se policia ka vënë në përdorim lëndë kimike të ndaluara kjo është një shkelje e rëndë që duhet hetuar dhe dënuar, që nga përdoruesit e Gardës dhe deri të urdhëruesit e këtij skenari.
Qytetarë paqësore, gazetarë, kameramanë përjetuan të vjella, turbullim të pamjes, bllokim të frymëmarrjes, kollë, teshtima, pengesa në gëlltitje, verbim të përkoheshëm dhimbje. Madje shenja të ngjashme ka pasur edhe brenda radhëve të policisë, të cilët kanë pasur edhe kundragaz.
Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili Vasili ka publikuar në Facebook një video nga momente kur gazi helmues është hedhur brenda protestuesve. Pamjet tregojnë se efektet janë të rënda për qytetarët që kanë qenë në protestë. “Më lëndë helmuese kundër popullit. Ky është Edi Rama njëlloj si Ali Kimiku i Sadam Hysenit, që përfundoi në gropën e plehrave të historisë. Të njëjtin fund do të këteëedhe ky”,- shprehet Vasili.