Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nga selia e partisë i dha një tjetër mesazh kryeministrit të vendit Edi Rama. Ajo tha se ndonëse ai u largua nga Tirana, ajo që pa sot përmes tv është vetëm fillimi.
“Sot ishte vetëm fillimi i atij reagimi qytetar na bën të ndjehemi krenarë për atdhedashurinë që shqiptarët kanë për vendin e tyre. Sot më shumë burra dhe gra se asnjëherë tjetër ishte protesta që e rrëzoi Edi Ramën për ti thënë që ai nuk është më kryeministër i shqiptarëve. Kërkonte të bënte antimitingun nga Vlora por shqiptarët ia dhanë përgjigjen nga ai bulevard. Shqiptarët i tregun: Ti ke ikur zotëri, ke ikur si një frikacak”,- tha ajo.
Kryemadhi zgjodhi një shprehje të përdorur shpesh nga Rama për t’i dhënë atij një tjetër mesazh.
“Sot i treguan se mund të përdorë çdo lloj arme, por nuk i tut dot shqiptarët. Mësime të tjera e presin. Nuk ka parë gjë akoma. Jo gaz lotsjellës, jo plumba plastikë po sikur gjithë arsenalit e e ish-BSH të përdorë ai nuk e mund dot popullin e tij. Ditë më të tmerrshme, më me makth do ketë për Edi Ramën”,- vijoi Kryemadhi.