Rakipi: Kishte skenarë të shkruar nga Ministria e Brendshme, Opozita të radikalizohet

Saturday, 16 February 2019 19:22

Drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi, I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka komentuar protestën e mbajtur ditën e sotme nga opozita.

Rakipi deklaroi se, protesta ishte e madhe dhe se aty gjendeshin qytetarë për problemet e tyre, pra jo vetëm për t’ju bashkëngjitur opozitës, por se kjo e fundit duhet ta lexoje mirë praninë e tyre dhe të ndërmarrë hapa politike më radikale.

“Do të ishte e gabuar të thoshim së kishte dhunë të vërtetë. Kishte skenarë të shkruajtur nga Ministria a Brendshme, se armiqtë po vijnë dhe do angazhohen në skenarë të zinj. Më i papërgatituri për këtë protestë, duket se ishte Lulzim Basha. Unë e pashë protestën edhe nga afër, aty nuk kishin ardhur njerëzit vetëm për hallet e Bashës, Kryemadhit, Mediut, apo të tjerëve. Aty kishin ardhur njerëz për hallet e veta. Njerëz pa punë, njerëz që jetojnë në pjesën më ekstreme të varfërisë, njërëz të cilët nuk kanë ku të shkojnë. A u jep dot zgjidhje Basha? Nuk e di këtë gjë. Çështja është, a di ta lexojë zoti Basha hallin e tyre, se zoti Rama e dimë sa e ka lexuar për gjashtë vite”, u shpreh Rakipi.

Rakipi shtoi se, opozita duhet të ndërmarrë akte radikalizimi politik dhe jo të bëjë telenovelë, duke e nisur dhe ndaluar protestën kur të dojë.

“Çështja thelbësore është tek aksioni politik i opozitës. Opozita nuk konvergon dot më shqetësimet dhe hallet e këtyre njerëzive. Nuk jeton me të papunët dhe ata që po largohen, por me hallet e veta.Unë pashë njërin prej tyre, opozitari agrar, vraponte për të ikur nga protesta. Kjo opozitë nuk jeton dot me realitetin e njerëzve. Opozita po bën një telenovelë, fillon sot, vazhdon të enjten, derisa lodhen njerëzit dhe ikin. Opozita duhet të ketë radikalizim politik”, vijoi Ylli Rakipi.

Login to post comments