Nga Vincent W.J. van Gerven Oei –Raportuesi për Shqipërisë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein ka pasur gjithmonë marrëdhënie të ngrohta me qeverinë e Edi Ramës. Në vitet 2017 dhe 2018, Fleckenstein propozoi miratimin e raportit të progresit për Shqipërinë, i cili ishte tejet pozitiv dhe nuk përmendte shumë nga problemet e vazhdueshme të vendit. Në të dyja rastet, propozimi i Fleckenstein-it u ndryshua shumë nga kolegët e tij në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Vitin e kaluar, Fleckenstein pati gjithashtu një rol të rëndësishëm në arritjen e Marrëveshjes MacAllister+ pas bojkotimit të parlamentit nga opozita në 2017, edhe pse më parë kishte deklaruar se ai nuk “kishte negociuar për protestën”.
Pas zgjedhjeve, në të cilat Partia Socialiste fitoi më shumicë absolute -sikurse u zbulua tani, pjesërisht përmes blerjes së votës në bashkëpunim me grupe kriminale – Fleckenstein deklaroi se: “shumica absolute nuk është rrezik për demokracinë.”
Fatkeqësisht, u vërtetua pikërisht e kundërta. Me shumicën absolute qeveria socialiste jo vetëm masakroi disa akte nënligjore, pjesë të paketës së reformës në drejtësi, duke shkaktuar probleme të rënda kushtetuese (të cilat ende nuk janë zgjidhur, thjesht janë harruar), por gjithashtu e përdori këtë shumicë për të përforcuar imunitetin e deputetëve ndaj hetimeve të Prokurorisë Speciale të Anti-Korupsionit (SPAK), e cila, sipas Kryetarit të Kuvendit, do të të fillojë punë përpara qershorit.
Si pasojë e këtyre veprimeve të shumicës socialiste, opozita vendosi të lërë mandatet parlamentare. Mençuria e këtij veprimi mbetet për t’u parë, por pasi e kishte paralajmëruar disa herë lënien e mandateve, nëse nuk do ta kishte bërë këtë veprim opozita do të kishte pasoja të rënda në zgjedhjet e 30 qershorit, që mund të çonin edhe në asgjësimin e saj.
Rezultati është që tani kemi një situatë politike të paparashikueshme, ku zhvillimi i zgjedhjeve është në pikëpyetje. Nëse të gjithë kandidatët e opozitës heqin dorë nga mandatet e tyre,- gjë që nuk mund të merret si e mirëqenë- kjo do ta bënte parlamentin antikushtetues.
Kodi Zgjedhor nuk ofron zgjidhje se çfarë do të bëhet me mandatet e opozitës, pasi të gjithë kandidatët të kenë dhënë dorëheqjen nga mandatet, ndërkohë që Kushtetuta shprehet se parlamenti duhet të ketë 140 anëtarë. Dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese – edhe kjo pasojë e reformës në drejtësi – nuk shihet asnjë zgjidhje.
Thelbi i kësaj gjendjeje është se “zaret janë hedhur” dhe nuk ka kthim mbrapa. Ish-deputetët e PD-së nuk kanë më asnjë mundësi ligjore për ta çbërë dorëheqjen e tyre, dhe është thjesht qesharake të thuash-ashtu siç thanë anëtarët e misionit të PE-së dje- se anëtarët e tjerë të listës së opozitës mund t’i pranojnë mandatet dhe të formojnë një opozitë të “re”.
Falë listave “të mbyllura”, sistem që OSBE e ka kritikuar shpesh, vetëm kandidatët në krye të listës janë, në fakt, ata që do të jenë vërtet deputetë. Sa më poshtë shkojmë në listë, aq më pak të kualifikuar (më të varfër, më të dobët, ose më pak kriminelë) janë kandidatët.
Pa një lidhje në partinë apo në zonën e tyre elektorale, këta deputetë “të rinj” të opozitës do të përjashtoheshin menjëherë nga partia, nëse do t’i pranonin mandatet, duke e krijuar kështu një parlament të mbushur me 50 për qind kufoma të gjalla politike, pa mbështetje nga partia. Asnjëra prej këtyre nuk është një zgjidhje e vërtetë për situatën aktuale.
Pavarësisht kësaj, Fleckenstein ia lejoi vetes të thoshte: “Po e humbas durimin me qëndrimin e deputetëve të opozitës. Protestat duhet të mbeten paqësore. Imazhet e protestave vonojnë integrimin.”
Së pari, nuk ka më asnjë deputetët opozite. Ky është fakt i thjeshtë. Së dyti, kjo nuk ka më lidhje me integrimin. Vendimi i tyre tregon qartazi se në llogarinë që bën opozita “pengimi” i integrimit ka më pak peshë se sa ta lësh qeverinë shqiptare në dorë të Edi Ramës. Përmbledhtazi, ata nuk duan t’ia dinë më për “durimin” e Fleckenstein-it. Në fund të fundit, pse u dashka t’ia dinë?
Me siguri që Fleckenstein do ta përjetojë këtë si një goditje të shumë të fortë ndaj egos së tij të madhe, pasi ai është mësuar t’i japë urdhra vendeve që të bëjnë punën e tij për hir të integrimit. Por realiteti i situatës aktuale politike në Shqipëri është ky: integrimi nuk është më një prioritet për opozitën; prioritetei i saj është largimi i Ramës.
Ndaj edhe çdo apel – i bërë qoftë nga Eurodeputetët apo nga Ambasadori i BE-së Soreca – i bazuar në këngën e vjetër të integrimit nuk do të funksionojë më. Në vend të saj, këtyre të fundit do t’u duhet të përveshin mëngët, t’i futen punës, edhe për të kuptuar se si arriti vetë BE-ja të krijonte presionin dhe kushtet që pjesërisht çuan në krizën aktuale politike. Por të presësh që ata të thellohen e të mendojnë për këtë do të ishte e tepërt, mendoj unë.
Exit.al