"Afer dita, kur Edi Rama do të lëshojë edhe më shumë se sa i kërkohet"

Hënë, 11 Mars 2019 09:54

Nga Fatmir Guda

Edhe media, aty ku Edi Rama prodhonte propogandë pa hesap e ku ndihej zot i vërtetë duket se po e lë në mes të udhës. Çdo ditë që kalon shtohen zërat opinionistë dhe analistë që godasin fort sjelljen e mazhorancës dhe kryetarit të saj ndaj zhvillimeve më të fundit në vënd duke u rreshtuar pro aktit të opozitës për djegien e mandateve. Kjo situatë e sikletshme e ky nervozitet i pafré pasqyrohet edhe në sjelljen, në humbjen e toruas dhe lajthitjet njëra pas tjetrës gjatë deklaratave të shefit të qeverisë dhe eksponentëve afër tij në daljet publike, ku jo pak herë kanë degjeneruar viral në rrjetet sociale.
Muri i qeverisjes po prishet dhe pas çdo tulle të hequr po fillon të duket sa vjen e më qartë realiteti që fshihej pas tij duke shtuar masën e vetëdijes së qytetarëve, të cilët edhe pse të lodhur nga tranzicioni i gjatë dhe të zhgënjyer nga stablishmenti politik po kuptojnë se emergjencë momenti është dhënia fund e situatës tejet të rënduar politiko-social-ekonomike në vënd.
Askush nuk e priste që opozita do tejkalonte paralajmërimet për djegie mandatesh, madje dhe Edi Rama para se të kryhej ky akt, siguronte të vetët se e gjitha ishte një bllof i Lulzim Bashës, kjo pasi bashkë me mandatet i humbisnin beneficet, privilegjet dhe imuniteti karshi çfardolloj situate me natyrë juridike. Por ja që kjo ndodhi dhe opozita guxoi, gjë që pavarësisht skepticizmit dhe pakënaqësisë së shprehur të shqiptarëve ndaj klasës politike në tërësi, çuditërisht u shoqërua në mënyrë të menjëhershme me rritjen më tepër të besueshmërisë tek mbështetësit dhe gjithë pjesa e zhgënjyer dhe pakënaqur prej qeverisë. Kryerja e aktit pra, pavarsisht kundërvënies krejt të natyrshëme të ndërkombëtarëve, të cilët e kanë pothuajse tabu përkrahjen e bojkotit si mjet politik, edhe sipas sondazheve të shumta është përcjellë me pozitivitet prej opinionit në vënd, ç'ka reflektohet dhe në suksesin që po gjen aksioni opozitar në terren, si në masivitetin nga protesta në protestë, ashtu dhe nga produktiviteti i tyre duke e futur në panik mazhorancën, ku në të shkelje të ligjit i ikën axhendës normale parlamentare me një frikë të shprehur për të mos u përballur me produktin e aksionit opozitar.
Edi Rama duket se ka mbetur vetë me ERTV-në e tij në këtë fushatë denoncuese ndaj kundërshtarëve, duke aplikuar si instrument reagues antimitingun me pjesmarrës të rekutuar nga administrata publike në tentativë për të mbajtur të pa cënuar brënda dhe jashtë vendit imazhin e sajuar. Madje edhe ata pak analistë afër tij u kanë rënë kambanave për skandale të pritshme përgjimesh, në të cilat implikohet drejtpërdrejt kryeministri i vëndit. Ç'ka pritet t'ja rëndojnë edhe më pozitat ku ndodhet. Nuk dihet sa do t'i zgjasin akoma nervat Edi Ramës për të vijuar "kokfortësisht" pa reflektuar ndaj situatës, por paralajmërimi për degradim të ekonomive qytetare mund t'i sjellë në derë të kryeministrisë një kolaps me pasoja mbase më kastastofike se ato me të cilat është hasur vendi jo pak herë pas vitit '90.
Dhe atëherë sigurisht që presioni ndërkombëtar mbi opozitën do të shterrojë, pasi ajo do jetë e zhveshur nga mundësia dhe përgjegjësia institucionale për të ofruar zgjidhje dhe bataretë do të derdhen të gjitha mbi qeverinë, si e vetmja palë që ka në dorë kthimin e normalitetit dhe stabilitetit duke bërë hapa mbrapa në atë që i kërkohet. Ajo që dihet është se kryeministri ka rezultuar një lexues i situatave dhe në këtë kontekst masiviteti në shtim i protestave të opozitës së bashkuar të shoqëruara edhe me një potencial shpërthyes përtej paqësores, pritet që ta sfilitin edhe më psikologjikisht atë duke e detyruar madje nën panikun e të paturit tepër për të humbur, të lëshojë edhe më shumë nga sa po i kërkohet sot.
Rastet e njëjta të drejtuesve autoritarë në rajon e gjithë botën kanë treguar, se sa më e drunjtë të dëgjohet gjuha e tyre, aq më afër momentit të shkërmoqjes është gjendur pushteti i tyre. Dhe këtij fenomeni, s'ka se si ti bëjë përjashtim Edi Rama, simptomat autoritariste, kriminale dhe kleptokratike të të cilit janë duke i bërë çdo ditë jehonë të madhe mediat më të rëndësishme botërore deri përtej Atlantikut.

 

Modifikuar më Hënë, 11 Mars 2019 09:56
Login to post comments