Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me studentë, të rinj dhe të reja. Ai deklaroi se PD-ja do të jetë partia që do iu qëndrojë gjithmonë në krah të rinjve shqiptarë.
Lideri i selisë blu tha se potenciali i rinisë shqiptare është shumë i madh, por për fat të keq shtoi ai, gjërat shkojnë në kahun jo të duhur pasi qeveria punon kundër interesave parësore dhe kundër rinisë.
‘Sot ti ke folur si një deputet dinjitoz. Detyra e PD është që të shtrojë rrugën për të ardhmen e këtij brezi të mrekullueshëm. Nuk ka inferioritet me moshatarët euriopian, por jemi në inferioritet në raport me qeverinë. Akoma bën sikur është zot i fateve tona, por nuk është ashtu. Protesta juaj nuk ka qenë dështim. Beteja e 16 marsit është një betejë për ndryshim, Ndryshimi është i pashmangshëm’, tha Basha, duke iu drejtuar një të riu.
Nga ana tjetër, një gjimnazist në bashkëbisedim me Lulzim Bashën u shpreh se ajo që kërkon rinia është që të qëndrojë këtu dhe të lidhet fatet e së ardhmes me Shqipërinë e jo të largohet drejt vendeve të tjera.
Ai pohoi se është i detyruar të punojë në arat e fshatit dhe duart e tij janë mbuluar nga kallot, por u shpreh, se askush nuk do mundet dot ta diskriminojë. ‘Ne nga kjo qeveri paguajmë një haraç më shumë. Ai na quajti shpellarë. Sot kam ardhur me kallo në duar nga puna e fshati, nuk mund të më diskriminojë as Edi Rama dhe as Donald Trump. Ëndrrat tona janë e ardhmja jonë. Ne nuk kemi kusur që të vuajmë jashtë shteti dhe ne të ardhmen duam ta kemi këtu’, tha një gjimnazist.