Pas ngjarjeve të sotme pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ku banorë u dhunuan nga Policia e Shtetit, ka ardhur edhe reagimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Ky i fundit ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Policisë Vendore të Tiranës, Kastriot Skënderaj dhe në vend të tij është komanduar Dhimtraq Ziu.
Ziu ka një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit. Aktualisht mban postin e zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, ndërsa është komanduar edhe më herët në postin e Drejtorit. Ai zëvendësoi Ardi Veliun, pasi ky i fundit shërbeu për afro një vit si Drejtor i Policisë së Tiranës, pas largimit të Ervin Hodajt.
Zv/drejtor i policisë së Tiranës është komanduar Elton Alushi.
Kjo është e disata lëvizje në kupolën e Policisë së Shtetit ditët e fundit. Më herët u shkarkuan drejtorët e policive në Vlorë dhe Fier.