Opozita pritet të intensifikojë protestat e saj kundër qeverisë. Drejtuesit e opozitës kanë vendosur të vijojnë me tubimet masive që do të zhvillohen sa herë që mbahet seanca e Kuvendit, ndërkohë që tubimet do të vijojnë dhe në qytetet e tjera të vendit. Protesta e radhës se madhe, para Kryeministrisë, është caktuar me 13 prill. Kjo protestë pritet të jetë edhe më masive se ajo e herës së fundit dhe mesazhi do të jetë i qartë, largimi i kryeministrit Edi Rama dhe hapja e rrugës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Veç protestave, partitë e opozitës janë duke u përgatitur dhe për zgjedhjet parlamentare.
Për këtë qëllim, paraditen e së hënës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thirri mbledhjen e Kryesisë së PD-së. Temë kryesore e këtij takimi qenë qëndrimet e opozitës tashmë që ndodhet jashtë Kuvendit, si dhe organizimi i protestave.
Në mesazhin e tij, Basha ka kërkuar më shumë angazhim nga deputetët që dogjën mandatet. Ai u ka kërkuar që të gjithë drejtuesit, ish-deputetët dhe strukturat e PD-së të jenë aktive në terren në mënyrë të përhershme. Basha ka kërkuar zhvillimin e protestave në rrethe dhe kudo që ka problematika të caktuara dhe që lidhen me problemet e qeverisjes.
Kreu i PD-së ka kërkuar nga kryesia e partisë, kryetarët e degëve, ish-deputetët dhe gjithë strukturat partiake një angazhim total, në gjithë vendin. Krahas protestave, drejtuesit e PD kanë udhëzuar dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme, duke vënë në funksion gjithë strukturat elektorale, si dhe duke prezantuar qëndrimet e opozitës.