Hetimi ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike për paratë e lobimit të saj në SHBA është rasti më konkret sesi Prokuroria aplikon dy standarde. Gjithë struktura drejtuese e PD, duke nisur nga kryetari Lulzim Basha dhe duke përfunduar të llogaritari i thjeshtë i partisë janë thirrur me urgjencë për t’u pyetur në lidhje me financimet për lobimin e PD në SHBA. Prej muajsh prokurorët e dhe drejtuesit e prokurorisë kanë lënë punët e tjera dhe po mundohen të gjejnë fijet e pagesave që një parti politike ka kryer për të zhvilluar takime me politikanë amerikanë. Pavarësisht se një metodë e tillë cilësohet nga Qeveria si një skandal, nuk është hera e parë dhe as Lulzim Basha dhe PD nuk janë politikanët e parë që paguajnë për lobim. Është një praktikë që e aplikohet gjerësisht nga të gjitha forcat politike dhe sidomos qeveria, që gjithë skandalet i mbyll me ndonjë kontrata të majme lobimi me firmën më të shtrenjtë në SHBA.
Dhe në këtë pikë qëndrojnë dhe standardet munguara të organit të Prokurorisë. PD po hetohet për shpenzimet në fushatën elektorale, një akuzë që nëse i hyn seriozisht e para parti që duhet hetuar është ajo që është sot drejton qeverinë. Sepse shpenzimet e deklaruara nga PS në KQZ për zgjedhjet nuk janë as çereku i parave që harxhohen realisht. Për lobimin në SHBA, kryeministri Edi Rama u faktua se shkeli ligjin amerikan në një takim të Barak Obamës duke marrë pjesë në një darkë ku bileta e hyrjes kushtonte 80 mijë. Si në rastit e PD edhe në SHBA pati një hetim. Personi që shoqëroi Ramën në takim u dënua nga gjykata e SHBA. Por çuditërisht e njëjta prokurori shqiptare që sot ka thirrur në pyetje gjithë PD, as e nisi hetim ndaj kryeministrit dhe jo më të guxonte ta thërriste Edi Ramën siç bëri sot me Lulzim Bashën. Nëse ligji do të zbatohej me kaq përpikmëri, sa ndaj PD-së, të paktën Prokuroria Shqiptare duhet të kishte pyetur kryeministrin, se ku i gjeti 80 mijë dollarë për një foto dhe si përfunduan në SHBA paratë? Sepse ashtu si në rastin e Lulzim Bashës edhe PS-ja nuk e ka deklaruar kurrë këtë shpenzim.
Basha akuzohet se nuk i dalin llogarit më 500 mijë euro që ka dhënë në SHBA. Prokuroria ka gjithë të drejtën e saj të dyshojë dhe verifikojë, por pyetja që shtrohet është: përse me kaq zell sa ndaj Bashës prokuroria nuk heton akuzat për korrupsion ndaj qeverisë. Tre muaj më parë u zbulua skandali i Unazës së Re. 30 milionë euro për më pak se 2 kilometra rrugë. Një skemë korrupsioni që përfshin drejtpërdrejtë ministra dhe drejtorë të rëndësishëm të kabinetit qeveritarë. Deri më sot Prokuroria nuk ka guxuar as t’i marrë në pyetje dhe jo më të vendosë në hetim gjithë emrat e përfshirë.
Ndërsa Basha dhe PD vihen në rresht para zyrës së prokurorisë për 500 mijë eurot, ministrat e 30 milionë eurove të vjedhura jo vetëm nuk kanë dhënë asnjë sqarim, por dalin në media dhe kërkojnë hetim sa më të shpejtë për Lulzim Bashën. Një qëndrim i tillë i Prokurorisë jo vetëm e nxjerr zbuluar si të njëanshme, por edhe vë në dyshim seriozitetin profesional. Sepse në rastin e Unazës së Re krimi ka ndodhur në Tiranë dhe në zyrat e qeverisë. Dokumentet janë këtu, dëshmitarët po ashtu ndodhen në Shqipëri dhe është shumë e thjeshtë të vihen në lëvizje. Ndërsa Lulzim Basha po verifikohet për një çështje ngjarja dhe provat, nëse ka, ndodhen në SHBA dhe vende të tjera dhe është e pamundur që këta prokurorë të kenë gjithë dokumentacionin në dorë.
Standardi tjetër i dyshimtë i Prokurorisë ndaj opozitës është reagimi i sotëm i prokurorisë për thirrjen e Bashës. Në një deklaratë të pazakontë për këtë institucion që e ka detyrë ligjore të jetë hermetik për përmbajtjen e dosjeve, u dhanë detaje nga hetimi dhe praktikisht u tha dha dhe pretenca duke deklaruar se kanë fakte. Mungonte vetëm shpallja fajtor. Në pyetje sot ishte thirrur lideri i opozitës dhe çështja është nën hetim. Nëse prokuroria ka fakte, i çon në gjykatë dhe nuk i shpërndan në media duke dhënë konkluzione përfundimtare të hetimit. Por ajo që është edhe më e rëndë, lidhet me faktin se të gjitha detajet që nxori sot prokuroria i kanë lexuar në media më herë deputetët e Partisë Socialiste. Ndaj sot Prokuroria ngjante më shumë si zyrë e shtypit e PS, sesa institucioni i pavarur i shtetit që ka detyrë të gjejë të vërtetën.