Kryeministri Edi Rama prej kohësh tashmë është në sulm të hapur ndaj gazetarëve në vend, veçanërisht ndaj atyre që i quan kadrij. Një prej atyre që është sulmuar më shpesh është analisti Ylli Rakipi, i cili thotë se Rama e ka marrë personale me të.
I ftuar mbrëmë në emisionin e gazetarit Ilir Barbaramo, Rakipi tha se Rama e ka personale me të, ndërsa kujtoi dhe vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi që ndodhi në Turqi, pas së cilës dyshohet se fshihet princi i Arabisë Saudite.
I ngacmuar më tej nga Barbaramo se çfarë nënkuptonte me dy duar për një kokë janë, Rakipi u shpreh: E keni parë se çfarë ka ndodhur me gazetarin në Turqi, që e thirrën në ambasadë dhe e vranë. Kjo mund të ndodhë edhe këtu, se ne në autokraci jemi.
Në të gjitha pikëpamjet, nuk ndihemi të sigurt, unë jetoj këtu dhe do vdes këtu ku kam lindur, do apo nuk do naltmadhëria e tij Edi Rama. Më thuaj një rast tjetër që të sulmohen në këtë mënyrë gazetarët? Nuk mund të krahasohemi me vitin 1997 kur bandat hynë dhe dogjën redaksinë e Nikollë Lesit, po atëherë nuk kishte shtet fare. Nëse pranojmë që është edhe sot kjo gjendje, është punë tjetër.
Është njësoj si Enver Hoxha që merrte si shembull krizën e vitit 1938 për të masur sukseset e veta, atëherë le të marrim dhe ne shembull 1997. Fajet më të mëdha janë te ata që e kishin pushtetin.
Rakipi insistoi më tej se ai ka fakte për kërcënimet ndaj tij, por që do ti bëjë publike në një moment të dytë.