Kryemadhi flet pas takimit me Palmer: Hallet tona do t’i zgjidhim ne shqiptarët

Tuesday, 09 Prill 2019 18:22

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi pas takimit me Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer deklaroi për mediat se gjatë takimit u shkëmbyen pikëpamje lidhur me situatën politike në Shqipëri.

E pyetur se cili ishte qëndrimi i zyrtarit të SHBA për krizën politike në vend, Kryemadhi u shpreh se vizita e tij në Tiranë nuk ishte e lidhur posaçërisht me krizën politike.

“Z. Palmer nuk kishte ardhur për ti dhënë zgjidhje për sa i përket konfliktit. Mos harroni që hallet tona do ti zgjidhim ne shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin”,- tha Kryemadhi.

Ditën e sotme, para takimit me Monika Kryemadhin, zv/ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Europën, Matthew Palmer u takua dhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Përmes një postimi, Basha bën me dije temat që ka folur me Palmer. ”Diskutim i hapur dhe konstruktiv me Matthew Palmer mbi situatën: Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe e Lartë, mosndëshkimi, krimi, korrupsioni dhe kriza politike. Angazhim i përbashkët për demokracinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë si e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe Shqipërisë në BE”,-shkruan Basha në Twitter.

Pyetje: Çfarë u diskutua në takimin me z. Palmer?

Kryemadhi: Diskutuam për situatën dhe sigurisht që unë nuk jam e autorizuar që të flas për takimin. Z. Palmer shprehu opsionet e veta nga këndvështrimet e tij. Ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona.

Sigurisht që përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për ti dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në BE.

Pyetje: Ju dha një zgjidhje z. Palmer, znj. Kryemadhi?

Kryemadhi: Z. Palmer nuk kishte ardhur për ti dhënë zgjidhje për sa i përket konfliktit. Mos harroni që hallet tona do ti zgjidhim ne shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin.

Pyetje: Kemi zgjidhje për këto halle znj. Kryemadhi?

Kryemadhi: Sigurisht që mendoj që viktimat e gjithë kësaj historie, janë shqiptarët nuk është Kryeministri.

Login to post comments