Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës i cili sipas përbuz të gjithë ata që se si ka përfunduar qyteti, duke i kujtuar disa të vërteta për punët publike.
Sipas Tabakut, Veliaj mburret me punët dhe projektet që janë zhvilluar nga Partia Demokratike.
Postimi i plotë:
Kur dëgjoj kryetarin e bashkisë që përditë ushtron bullizëm ndaj atyre që nuk mendojnë si ai më vjen keq në çfarë duarsh përfundoi qyteti jonë.
Por më lejoni të kujtoj disa të vërteta:
Partia Demokratike është pro zhvillimit dhe është ajo parti që gjeti fondet e zhvilloi projektin e Bulevardit me tender ndërkombëtar, falë saj ti sot mburresh dhe kapardisësh në Tiranë duke e quajtur punën tënde. Pasi gjatë gjithë mandatit tënd si kryetar Bashkie puna jote e vetme ishte të dilje në televizor edhe kur fizikisht ishe jashtë Shqipërisë.
Sado që të dizinformosh njerëzit e vërteta është që projektet strategjike të qytetit të Tiranës, si Bulevardi i Ri, Pazari i Ri dhe Lumi i Tiranës i gjete të gatshme në tavolinë dhe me fonde të siguruara. Kish mbetur vetëm t’i zbatoje, por si nxënës i dobët apo zyrtar i korruptuar nuk dite as t’i zbatosh.
38 familjet ne fund të bulevardit kanë vlerësimin teknik dhe financiar të bashkisë, kanë vendimin e këshillit bashkiak dhe buxhetin e miratuar të Bashkisë për dëmshpërblim ku fondi i shpronësimit është i miratuar aty. Në vitin 2013, gjatë qeverisjes demokratike, doli VKM e parë me dëmshpërblimin për një pjesë të familjeve të cilat ranë dakord me paratë e paguara. Ndonëse ju njihnim për të pazotë apo të korruptuar nuk mund ta parashikonim dot me saktësi të plotë nivelin, aq sa në 6 vite qeveri e 4 bashki nuk dëmshpërbleni dot as 38 familje.
Janë 328 mln euro taksa të reja që ke vendosur për Tiranën dhe qytetarët e saj. taksa që nuk janë përkthyer as në shkolla, as në investime serioze. Përkundrazi, ua ke kthyer Tiranën në ferr qytetarëve, po ua zhduk përditë e më shumë qytetin banorëve të tij ndërsa hiqesh si ekologjist kur në fakt jep licenca për kulla mes Tiranës. Të vetmit përfitues të parave publike që dalin nga buxheti i bashkisë janë të dyshuarit e përhershëm.
Në katër vjet janë mbledhur nga taksat bashkisë 20 milionë euro nga taksa e re e arsimit, por sot nuk shoh asnjë shkollë të re të ndërtuar. E vetmja arritje e jotja në fushën e ndërtimit është zgjerimi i formatit korruptiv të PPP-ve Rilindase edhe tek arsimi publik.
Një pyetje kam për të gjithë ata që sot demonizojnë banorët që mbrojtën pronën, a ia voli Bashkia taksën e banesës këtyre 38 shtëpive që sot u kërkon llogari përse gjoja i shkuan lumit?
Unë nuk e besoj kurrë që mund të ketë kryetar bashkie në botë, e jo më në qytetin tim, që të flasë si kryetari aktual i Bashkisë. Nuk e besoj kurrë që është e ligjshme te hedhësh gaz lotsjellës në një shtëpi ku fëmijët janë në gjumë, nuk e besoj kurrë që mund të mbrosh shoqërimin në komisariat të fëmijëve 5 vjeç. Nuk mund të besoj se sot servilizmi ka arritur aq sa të mbrohet shteti që dhunon dhe terrorizon më të dobëtin e mbështet gjithmonë më të fortin!