Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, përmes notave të fora të ironisë, ngacmon kryeministrin Edi Rama lidhur me grabitjen e së martës brenda aeroportit “Nënë Tereza”.
Sipas tij, pas djegies së kërpudhës te kryeministria më 16 shkurt, kreu i qeverisë nxitoi të shkonte në Itali për të “rregulluar imazhin” e vendit, ndërsa tani që në aeroportin e vetëm të vendit u grabitën 10 milionë euro, Rama reagon pas 30 orësh, megjithëse imazhi i vendit në botë është rrënuar.
Nga Luan Rama:
Më 16 shkurt 2019, gjatë protestës së qytetarëve para Kryeministrisë, u dogj kërpudha që gjendej aty në hyrje të saj.
Kryeministri reagoi pas 30 minutash me shumë zemërim dhe indinjatë!
Dhe të nesërmen e 16 shkurtit, u nis menjëherë për në Itali, “… për të mbrojtur Shqipërinë, – siç tha ai vetë, pas cënimit të rëndë ndërkombëtar nga shfaqjet e turpshme të dhunës partiake të 16 shkurtit…!!!”.
Më 9 prill 2019, një grup i armatosur kriminal, grabiti 10 milionë euro në avionin që gjendej në mes të pistës së aeroportit ndërkombëtar të Rinasit në Tiranë, duke vrarë në mënyrë të pariparueshme edhe imazhin e Shqipërisë në botë!
Kryeministri reagoi pas 30 orësh, e madje duke iu shmangur përgjegjësisë!
Nuk vajti më as në Itali “për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë, pas cënimit të rëndë ndërkombëtar!”.
Çështje prioritetesh!