Shkrimtarja Flutura Açka ka komentuar deklaratat e bëra mbrëmjen e kaluar nga ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ku ka folur për ‘lidhjen’ që u përfol se kishte me vajzën e Linda Ramës, Rea Xhillarin si dhe akuzat që ngriti ndaj atyre që e kanë përhapur këtë lajm.
Açka shprehet se mediat i bënë jehonë lajmit nëse Cakaj “fle apo nuk fle me thjeshtrën e kryeministrit sikur të ishte brenga më e madhe shqiptare”.
Ajo vijon më tej duke kritikuar deklaratat e ministrit kur tha se lajmi është përhapur nga armiqtë e kryeministrit.
“Ajo që më shqetësoi personalisht, ishte fjala “armik i KM”, “armiqtë e KM”, fjalë që ky djalë i ri përdori me aq shkujdesje. Dikush duhet t’ia shpjegojë atij se në demokraci ka “kundërshtarë politikë”, pra njerëz me ide dhe qasje politike ndryshe nga të tuat, në diktaturë të këtillët quhen “armiq”,” shkruan Açka.
Sipas shkrimtares, politikanët e rinj duhet të distancohen nga gjuha e vjetër e politikës dhe se duhet të kuptojnë rolin që kanë.
Reagimi i plotë:
Sa keq, e gjithë media, të gjitha faqet online, e bënë lajm dyshimin nëse Ministri i Deleguar i Jashtëm i Shqipërisë, zoti Cakaj, fle apo nuk fle me thjeshtrën e KM. A thua se kjo është brenga më e madhe shqiptare. Ajo që më shqetësoi personalisht, ishte fjala “armik i KM”, “armiqtë e KM”, fjalë që ky djalë i ri përdori me aq shkujdesje.
Dikush duhet t’ia shpjegojë atij se në demokraci ka “kundërshtarë politikë”, pra njerëz me ide dhe qasje politike ndryshe nga të tuat, në diktaturë të këtillët quhen “armiq”. Madje sa më e ngjyrtë të jetë kjo shumëri hijesh politike, aq më e sigurtë është demokracia.
Ky lloj fjalori politik, i takon shkollës së vjetër politike, që për 30 vjet i ndau shqiptaret në palë betejash. Sigurisht, para një kundërshtari politik që shpesh sillet si armik, kjo qasje politike duket normale. Por politikanët e rinj e kanë për detyrë t’i largohen kësaj prirjeje, ata janë shpresa jonë për peizazh politik europian që po presim, dhe ata duhet ta kuptojnë këtë rol.