Artistët për shkronjat e Teatrit: Do t’i rivendosim me çdo kusht, ishte dora e Erion Veliajt

Saturday, 27 Prill 2019 20:53

Regjizori i njohur, Edmond Budina dhe aktivisti, Martin Gjonaj ishin të ftuar në studion e lajmeve në Fax News ku flolën për heqjen e germave në godinën e Teatrit Kombëtar si dhe padinë penale që kanë dorëzuar gjatë ditës së sotme në Prokurori.

Budina tha se vënia dorë mbi godinën e Teatrit është e paligjshme dhe e paprecedentë, duke paralajmëruar se gërmat do të rivendosen nga qytetarët më çdo kusht dhe ka argumentuar se, ai që heq gërmat e Teatrit në fshehtësi tregon se ka shumë gjëra të tjera për të fshehur.

“Të vësh dorë mbi Teatrin Kombëtar sot kur nuk ka asnjë ligj që mund ta bëjnë është e paprecedentë. Ne bëmë detyrën tonë si qytetar duke denoncuar rastin në Prokurori që të hetohet kush e ka bërë një akt të tillë vandal për të cilin nuk përgjigjet as Ministria e Kulturës, as Teatri Kombëtar. Paligjshmëria këtu është bërë një gjë e zakonshme dhe për këtë janë ngritur qytetarët e Tiranës dhe për këtë janë ngritur artisët.

Ne shkuam në Prokurori duke dhënë mendimin tonë me aq sa mund të jepnin sepse aty nuk kishte njeri. Nuk ka më qytetar të fjetur me atë që ndodh me ato që ju përkasin. Ne do ti rivendosim ato gërma, sepse përderisa kanë bërë një shkelje ligjore për ti hequr ato, ne nuk mund ta pranojmë këtë, ato gërma do të vihen dhe do të vihen nga vetë qytetarët.

Është një akt gresiv, i pabesë dhe i paligjshëm. Fakti që ata e bëjnë këtë gjë fshehurazi, kjo tregon se ata kanë shumë për të fshehur dhe për këtë do të përballen me revoltën e qytetarëve të Tiranës”.

Budina argumentoi se pa një të shkuar nuk ka të ardhme. Ai tha se është krijuar mentaliteti që me ne fillon gjithçka por nuk është kështu. Shkatërrimi i një vepre të tillë është një krim dhe urrejtje ndaj artit shqiptar.

Aktivisti Martin Gjonaj tha se, gjithë Shqipëria është në protestë pasi po protestohet për HEC-et, për Teatrin, minatorët që sipas tij po protestojnë për shqetësimet e tyre dhe ligjin e “Statusit të Minatorit”.

Duke folur për skandalin e heqjes së germave në godinën e Teatrit kombëtar, Gjonaj tha se shpiken taktike për të demoralizuar protestuesit që prej më shumë se një viti mbrojnë Teatrin.

“Kjo është vepër e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Kjo tregohet përmes faktit se kur kemi kontaktuar me drejtorin e Teatrit ai nuk ka pasur informacion për këtë ngjarje. Neve nuk na tremb kjo gjë, përkundrazi na bën nderë, na bashkon më shumë dhe na shton vendosmërinë për ta mbrojtur këtë godinë.

Drejtori i Teatrit ka thënë se nuk disponon asnjë dokumentacion që të bëhet diçka e tillë apo që është vënë në dijeni të një akti të tillë, edhe ministria na ka komunikuar të njëjtën gjë. Kjo mund të ishte zgjidhur në harkun e 12 orëve nga vëzhgimi i kamerave të godinës së Ministrisë së Brendshme. Kjo ministri është e habitshme që të mos ketë akses për ti hapur kamerat dhe të faktojë se kush e ka bërë dhe kush e ka urdhëruar diçka të tillë”, tha aktivisti.

Gjonaj shtoi se ky nuk është precedenti i parë i këtij lloji duke argumentuar se e njëjta gjë ka ndodhur me heqjen e simbolit të shqiponjës tek Dogana e cila sipas tij është bërë në mes të natës.

“Ata duan ta prishin Teatrin dhe ta kthejnë në një mega aferë gjigande. Ne kemi fakte se dikush që edhe gropat e brendshme tek Teatri i ka hapur vetë, kanë sjellë disa kamera të tyret për ti filmuar dhe mbushën opinionin me alarmin se godina ishte në prag të rënies. Por disa ditë më vonë një dukuri natyrore i përgënjeshtroi pasi ra një tërmet i fortë në Tiranë dhe u krisën e u lëkundën shumë godina edhe nga ato të selive të shtetit, por Teatri as nuk i ndjeu.

Ne do të dalim çdo natë, dhe do të jemi edhe më të vendosur, edhe më të shumtë në numër. Njerëzit mbrëmë ishin të shumtë, 500 persona u mblodhën në sheshin para Teatrit ndërkohë që netët e tjera kanë marrë pjesë më pak por sapo morën lajmin se ishin hequr germat, erdhën sepse e ndjenë rrezikun, domethënë ata reagojnë kur diçka ndodh apo diçka cënohet”.faxweb

Login to post comments