Të rinjtë si azilantë, Kërpaçi: Programi i LSI-së për të frenuar këtë eksod

Saturday, 27 Prill 2019 21:16

Shqipëria është kthyer në një vend ku çdo ditë e më shumë po mbetet pa rini. Të dhënat e publikuara nga Eurostat, bëjnë të ditur se për vitin 2018, numri i aplikimeve të minorenëve të pashoqëruar nga Shqipëria për azil në një nga vendet e BE-së ishte 475, duke përbërë rreth 2.5% të totalit të aplikimeve nga e gjithë bota. Ky alarm u dha edhe gjatë protestës të së enjtes para Kuvendit nga të rinjtë e FRPD-së dhe të LRI-së.

Ndaj ”Koha Jonë”, kontaktoi me kryetaren e LRI-së, me ish-deputeten Floida Kërpaçi. E pyetur se si e lexon këtë raport, ajo thotë se është një indikator që tregon se kjo qeveri i ka lënë në baltë të rinjtë. Për të, emigrimi i tyre ka pasoja të rënda edhe për vetë shtetin.

Sesi e sheh të ardhmen LSI-ja dhe frenimin e këtij eksodi, Kërpaçi pohon se shtyllat bazë janë një arsim cilësor dhe punësim i mirëpaguar. ”Arsim cilësor e bashkëkohor sipas nevojave të tregut të punëve të së ardhmes. Punësim i mirëpaguar me paga të larta që tu mundësojë rinisë përballimin e kostove të jetesës por edhe krijimin e familjeve të reja. Ne e kemi bindje se duhet ta bëjmë Shqipërinë të shikohet si shtëpi dhe do të ndalojmë largimin e rinisë”.

Azil nga minorenët e pashoqëruar ka bërë që Shqipëria të renditet e dyta në botë. Në këtë përfundim ka dalë raporti i Eurostat. Të enjten ju protestuat për të rinjtë që po ikin nga vendi dhe kërkojnë azil në vendet e BE-së. Si e komentoni këtë raport?

Raporti i Eurostat është një tjetër këmbanë alarmi që vjen menjëherë mbas raportit të UNICEF-it Italian ku Shqipëria renditej e para për numrin e minorenëve të pashoqëruar të cilët në mënyrë të dhimbshme janë larguar prej familjeve duke shkuar në emigracion për të gjetur punë e të ardhura edhe për familjet që kanë lënë pas.

Numri i lartë i të rinjve shqiptar që janë larguar si azilkërkues në vendet e BE-së është një tjetër indikator që tregon se kjo qeveri i ka lënë në baltë të rinjtë. Është e dhimbshme të shohësh sesi në Shqipërinë e vitit 2019, kur ne aspirojmë të celim negociatat me BE, të mitur, adoleshentë, të rinj të të gjitha moshave, marrin rrugët e vështira të emigrimit të paligjshëm për shkak të pamundësive të ndryshme që përballen këtu për të ndërtuar të ardhmen.

Është e dhimbshme të shohesh se të rinjtë shqiptar janë të pamundur për të gjetur pune, nuk marrin arsimin që i duhet dhe nuk u ofrohet mbështetje nga shteti për të ndërtuar jetën e familjen këtu. Emigrimi i tyre ka pasoja të rënda edhe për shtetin. Ata janë mjekët e së ardhmes, mësuesit, inxhinierët, politika e media, shkrimtarët e inovatorët e së ardhmes dhe nëse ata largohen do të thotë se shteti ynë do të dobësohet.

Duke parë që LSI-ja është parti e të rinjtëve, çfarë programesh keni ju për grup në mënyrë që këta të fundit ta shohin shqipërinë si shtëpinë e tyre dhe çfarë po bën LSI-ja për të frenuar këtë eksod?

LSI-ja është partia e të rinjve dhe ne jemi të vendosur që duke krijuar punësim dhe ofruar arsim cilësor e mbështetje shtetërore për të ndërtuar familjen këtu, të ndalojmë eksodin e gjeneratës së re larg atdheut. Të rinjtë nuk kanë nevojë për propagandë, mashtrime dhe premtime të pambajtura. Të rinjtë meritojnë më shumë prandaj ne kërkojmë largimin e kryeministrit Rama, i cili instaloi në vend modelin e antivlerave dhe duam të ringrejmë shtetin në funksion të të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë dhe të fuqizojmë modelin e vlerave, ku të rinjtë që duan të punojnë ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri të kenë mundësi e shanse të barabarta.

Të rinjtë kanë nevoje për politika konkrete të cilat ndikojnë drejtëpërdrejtë në një jetë me më shumë mirëqenie dhe shpresë për ta. LSI-ja punon çdo ditë me të rinjtë dhe ne jemi të bindur se bashkë me të rinjtë do të ndërtojmë alternativën e vlerave, shpresës e prosperitetit për të rinjtë dhe familjet e tyre.

Arsim cilësor e bashkëkohor sipas nevojave të tregut të punëve të së ardhmes. Punësim i mirëpaguar me paga të larta që tu mundesojë rinisë përballimin e kostove të jetesës por edhe krijimin e familjeve të reja. Ne e kemi bindje se duhet ta bëjmë Shqipërinë të shikohet si shtëpi dhe do të ndalojmë largimin e rinisë.

Login to post comments