Aktori Neritan Liçja ka analizuar në studion e Syri.net, atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar, duke filluar që nga miratimi i ligjit për shembjen e tij dhe ka drejtuar gishtin e akuzës mbi ata që duan të zhdukin memorien e qytetit.
Pjesë nga intervista e tij në studion e Syri.net:
“Këta deputetë të mazhorancës që u betuan se do të mbrojnë Kushtetutën dhe ligjet e ëktij vendi, a e mbrojtën kur ngritën kartonin?! Jo, ata kanë shkelur kodin e betimit dhe alfën e asaj për të cilën janë në parlament. Kush pra i dogji mandatet de fakto me ligjin e Teatrit? Për mua i dogji mazhoranca.
Sa për efektivët e Policisë, ata janë çunat dhe gocat e Tiranës dhe ne i duam ata. Erdhën dje, në pakicë dhe qëndruan në distancë kur ne vendosëm gërmat. Efektivët ne na duan pa fund dhe ne ua lexojmë, edhe tek protesta para parlamentit, ne ua lexojmë dashamirësinë. Edhe ata e duan Teatrin Kombëtar.
Urdhrat politikë nuk vijnë dot për Teatrin, se e dinë që aty luhet, se aty është vërtet “vija e kuqe”, në kuptimin metaforik. E dinë që ndjeshmëria është shumë e madhe dhe ndaj nuk e çojnë deri në fund. Dhe ka shumë socialistë aty. Po kujt i duhet beteja kundër artistëve? Është hera e tretë që Rama përpiqet ta hedhë “tuç” Teatrin dhe unë jam i bindur se ka hequr dorë.
Nuk ka asnjë projekt për Teatrin, sepse, ku është?! Sa është thellësia skenike? Sa vende ka? Ku janë xhepat skenikë? Ku është projekti?
Unë u rrita në atë Teatër, kam 30 vjet, që në 1988. Për herë të parë në atë Teatër janë ngritur dy gishtat lart në dramën “Nata me hënë’ të Budinës. Ai projekt italian ka qënë një mrekulli, që duhet të mirëmbahet. Ka shumë histori, edhe gjyqe ka pasur, edhe prerje kokash, por edhe për atë duhet mbajtur. Edhe Aushvici është mbajtur, ku kanë ikur miliona jetë njerëzish në tym.
Po pse u dashka prishur për kulla?! Nuk ka vend tjetër për kulla? Joo, është një zhdukje, që të mos ketë memorie, që Tirana të kthehet në një fjetinë të madhe me restorane, bare.
Po për emrat e mëdhenj, që u tërhoqën nga beteja për mbrojtjen e Teatrit? Pa emra të përveçëm
Ai qe një perversitet i kryetarit të bashkisë, që e ktheu tërë vëmendjen nga thelbi ligjor, e arriti me ato manovrat e veta pise, hardhucore për ta kthyer në një telenovelë të madhe.
Bashkia është e pamend sa nuk e kupton sa ky kryeministër ka thyer tre herë turinjtë me këtë Teatër. Është e treta herë që Rama përpiqet t’i ngjitet atyre mureve si jeniçer i lodhur, por bashkia nëse nuk e kupton se do të thyejë kokën, aq më keq për të.
Veliaj do të thyejë kokën dhe ka pësuar një krisje shumë të madhe nga beteja me Teatrin. Ai nuk është ai i miri “lajm i mirë kjo e lajm i mirë ajo”, por tregoi fytyrën e vërtetë. Ne ia kemi hedhur dorashkën dhe ia kemi thënë se "do të tërheqim zvarrë nga zyra ku je" në kuptimin metaforik, natyrisht, se ne nuk jemi të dhunshëm."/ar.sh/SYRI.NET