Teksa homologu i tij kosovar ka përfocuar akuzat ndaj tij duke e akuzuar si pjesë të një komploti për ndarjen e Kosovës, edhe kryeministri Edi Rama ka përfocuar tonet nga Tirana. Pa përmendur emër, Rama shkoi deri aty sa Haradinaj iu referua si budalla dhe gënjeshtar që po artikulon gënjeshtra jashtë çdo realiteti. Pjese nga fjala e Rames.
Sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës më kujton atë shprehjen që: “Sa pa dalë facebooku, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet”. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe dhe ajo porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë, për të sulmuar njerëz, për të masakruar karaktere, personalitete, individë në gjitha nivelet duke përfituar nga facebooku dhe mundësia për të torolisur të gjithë dynjanë me gënjeshtra të përmasave marramendëse dhe me budallallëqe të rrezikshme. Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete por të gjitha shtetet e botës, që përfshin parlamente, parti politike, shoqëri, vendime referendare në fund, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe atëherë kjo botë ka marrë fund. Por unë besoj që jo. Çdo njeri i arsyeshëm, çdo shqiptar me mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që pikërisht të mund të shitet dhe të blihet në territorin e marrëzisë online. Për më shumë do të angazhohem dhe do të shpjegoj më tutje kur të më jepet mundësia.