Ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani ka bërë thirrje që të ndalet “Epshi i papërmbajtur i sundimtarit të sotëm për të shkrirë opozitën dhe goditur cilindo që nuk mendon si ai”.
Ai ka komentuar deklarimet e Kryeministrit Rama dhe zëdhënësve të tij të cilët, siç shkruan Manjani, bërtasin çdo ditë: "Opozita do hyjë në burg".
“Partia të njoftonte arrestimin dhe sigurimi bënte ekzekutimin. Gjykata jepte vendimin. Kjo ishte e ndyra Drejtësi Popullore, që ende vepron sot e kësaj ditë”. shkruan Manjani.
Ja postimi i plotë
Kryeministri dhe zëdhënësit e tij, bërtasin çdo ditë: "Opozita do hyjë në burg".
===============
Në një Republikë Kushtetuese, ku pushtetet janë të ndara, vendimin si dhe deklarimin se kush hyn në burg e kush jo e jep gjykata e pavarur nga qeveria.
Imagjinoni dot Merkel të deklarojë çdo ditë " opozita në burg"?!! Jo për opozitën, por as për një qytetar normal nuk ndodh një gjë e tillë.
Detyrat kushtetuese që i janë dhënë gjykatës janë të patjetërsueshme, dmth nuk i bën dot asnjë pushtet tjetër.
Mirëpo, pasardhësit e komunizmit dinë vetëm atë që bënte Enveri. Partia të njoftonte arrestimin dhe sigurimi bënte ekzekutimin. Gjykata jepte vendimin.
Kjo ishte e ndyra Drejtësi Popullore, që ende vepron sot e kësaj ditë.
Drejtësia që burgosi e surgjynosi shqiptarë që folën kundër pushtetit...
Epshi i papërmbajtur i sundimtarit të sotëm për të shkrirë opozitën dhe goditur cilindo që nuk mendon si ai, duhet ndalur.
Tani sesa më vonë, kur të jetë shumë vonë...