Përplasje fizike mes policisë dhe anëtarëve të Partisë Demokratike tek KZAZ nr. 2 në Shkodër. Opozita nuk lejon hyrjen e forcave të policisë në pallatin e Sportit në Shkodër ku është e vendosur kjo KZAZ.
Siç raporton për “BalkanWeb” gazetari Senad Nikshiqi, KZAZ nr. 2 në Shkodër ka marrë një vendim për nisjen e punës për zgjedhjet vendore dhe policia erdhi për të hapur derën e pallatit të sportit. Por në këto momente efektivët nuk u lejuan nga opozita. Ata pretendojnë se pallati i sportit është pronë e bashkisë Shkodër.
Më herët, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi kërkoi nga policia e këtij qyteti mbështetjen për lirimin e ambienteve të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, duke zbatuar kështu dekretin e Presidentit të Republikës.
Përplasje në Shkodër, PD: Policia po shkel dekretin e Presidentit
Një video nga momenti i përplasjes ka shpërndarë edhe Partia Demokratike, sipas së cilës: “Policia ka tentuar që në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme të hyjë në KZAZ nr. 2 në Shkodër në shkelje të dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor”.
Po sipas PD, “Bardh Spahia ndodhej pranë banorëve të Shkodrës, të cilët kundërshtojnë procesin fals zgjedhor, duke e vlerësuar këtë akt të dhunshëm të Policisë si urdhër politik të Edi Ramës”.