Sa vijnë e shtohen zërat e rëndësishëm në BE, për një ndarje të Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, në procesin e hapjes së negociatave.
Kjo pasi Maqedonia po shihet si një vend që i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe nuk mund të penalizohet vetëm për faktin, se është në ‘një paketë’ me Shqipërinë problematike të drejtuar nga qeveria Rama.
Së fundmi një nga këta zëra është edhe Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili duket se po braktis mbrojtjen pa kushte që i ka bërë deri më tani Edi Ramës.
Menjëherë pasi mbërriti në Luksemburg për mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme, Hahn ka folur për gazetarët në lidhje me çështjen e çeljes së negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, duke bërë thirrje që e para të mos braktiset në këto momente.
‘Mesazhi im për këdo është që të kuptojnë se situata rajonale ka nevojë për një farë perspektive. Një vend ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në perspektivën evropiane dhe lidershipi i tyre ka treguar kurajë.
Nëse kjo gjë nuk do të shpërblehet, ne nuk humbasin vetëm përgjegjshmërinë tonë, por edhe besueshmërinë. Pra çdo gjë që kemi investuar me sukses në muajt e fundit do të vendoset në rrezik nëse ne nuk i qëndrojmë besnik premtimeve tona’, tha Hahn duke ju referuar Maqedonisë së Veriut.