“Super cunami po afron, kakistokracia po dridhet! Rama ik! Fitore!” Ky është paralajmërimi i fortë që ka bërë sot, ish-kryeministri Sali Berisha, për protestën kombëtare që do të nisë në Tiranë në orën 20:00.
Nisur nga forca dhe shtimi në vazhdimësi i numrit të pjesëmarrësve në protestat e fundit të opozitës së bashkuar, nisur nga pasurimi i sloganeve, thirrjeve, mesazheve dhe orëve të qëndresës në secilën prej tyre, Berisha e ka shprehur pas asnjë rezervë bindjen e tij se këtë radhë bëhet fjalë për një “super cunam” që do të kërkojë largimin nga qeverisja të kryeministrit Edi Rama.
Shënimin e tij Berisha e ka shoqëruar me videomesazhin e sotshëm të Partisë Demokratike në të cilin thuhet:
Arrogancës dhe shpërfilljes, ju përgjigjëm me refuzim.
Padrejtësisë do t’i përgjigjemi me qëndresë.
Pamundësinë, varfërinë, papunësinë nuk do t’ua lëmë trashëgim fëmijëve.
Ne treguam se jemi më të fortë se e keqja.
Ne duam një të ardhme me mundësi për të gjithë.
Bashkë për të ardhmen, bashkë për Shqipërinë.