Gara për Kushtetuese/ Detajet “djallëzore” të ligjit që cënojnë garën

E mërkurë, 17 July 2019 13:02

Nga Boldnews.al

Në Shkurt 2017, ambasadori amerikan i asaj kohe, Donald Lu, e më pas, kolegia e tij e preferuar e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, u bënë thirrje “ndërgjegjes” së juristëve shqiptarë, sidomos atyre që jetonin e punonin jashtë, për të aplikuar për institucionet e reja të Reformës në Drejtësi.

Thirrjet e Lu-Vlahutin vinin në një periudhë skepticizmi të juristëve për të kandiduar për institucionet e Vetingut. Apeli i ambasadorëve të huaj duket se bindi juristë të ndryshëm që jetonin jashtë vendit, të cilët dorëzuan aplikimet e tyre.

Por, pasi u përballën me kërkesat ligjore, thuajse të gjithë këta juristë u tërhoqën nga gara, duke kuptuar se angazhimi për të ardhmen e vendit ishte një utopi. Kjo, jo për shkak të frikës së tyre, por sepse dispozitat e ligjeve për institucionet e reja të drejtësisë kishin “kleçka”, të cilat i përjashtonin nga kandidimi ende pa nisur procesi zyrtar.

Dhe rezultati duket fare qartë-në të gjithë institucionet e reja të drejtësisë, të ngritura deri më tani, nuk gjendet asnjë jurist që ka ushtruar aktivitetin e tij profesional jashtë Shqipërisë. Strukturat e reja të drejtësisë janë mbushur me juristë të administratës socialiste apo me të tjerë, të një niveli mediokër profesional.

Një ndër ndalesat më të mëdha për juristët që vinin nga jashtë, por jo vetëm për ata, ishin afatet proceduriale për plotësimin e formularëve të pasurisë.

Për juristët që vinin nga jashtë Shqipërisë, afati ligjor për dorëzimin e formularëve të pasurisë ishte shumë i ngushtë, aq sa ata nuk mund të siguronin në kohë dokumentacionin përkatës në institucionet bankare apo shtetërore në vende të huaja.

Gara e deformuar e Kushtetueses

Një situatë e tillë, sidomos për shkak të afateve ligjore të dorëzimit të formularëve të pasurisë, po përsëritet së fundmi edhe në garën për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” parashikon se aplikantët duhet të dorëzonin pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) formularët e pasurisë brenda 15 ditëve nga hapja e procesit të kandidimit.

Ky nen favorizon gjyqtarët dhe juristët e tjerë të administratës, të cilët kanë deklaruar periodikisht ndër vite pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI).

Por ky afat shumë i kufizuar ligjor penalizon kandidatët që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, si edhe juristët që kanë ushtruar aktivitetin e tyre jashtë Shqipërisë.

Aplikantja Suzana Frashëri u tërhoq nga gara për në Gjykatën Kushtetuese pasi nuk arrinte të merrte dokumentacionin e nevojshëm të pasurisë së saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte jetuar, brenda afatit të ligjit që zbaton Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Aplikanti tjetër, Genc Ismaili, u tërhoq nga gara, duke aluduar për “trajtim joproporcional” në dëm të kandidatëve që vinin jashtë sistemit të drejtësisë. Në tekstin e dorëheqjes nga gara, aplikanti Ismali deklaron se, në ushtrimin e aktivitetit privat si Avokat, ka qenë subjekt i kontrollit tatimor ndër vite.

Në shkresën drejtuar KED-së, aplikanti Ismali shprehet se: “…për një proces dukshëm selektiv, me artifica të pabazuara ligjërisht dhe logjikisht”. Ai e mbyll letrën e dorëheqjes me shprehjen: “Nuk krijoj bindjen për ecurinë e një gare konkurrimi të besueshme”.

Raste “Traja”

Kristaq Traja, ish-gjyqtar i Shqipërisë në Strasburg dhe ekspert i caktuar nga Partia Socialiste për hartimin dhe mbrojtjen e amendamenteve kushtetuese të vitit 2016, u ndalua nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për të vijuar procesin e kandidimit për në Gjykatë Kushtetuese, po për shkak të formularëve të pasurisë.

Traja e ka pasur të pamundur plotësimin e të dhënave pasurore, për shkak se djemtë e tij, që jetojnë në Francë, nuk mund të dorëzonin në kohë pasqyrat financiare. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e përjashtoi nga gara, për faktin se nuk respektoi afatin ligjor për dorëzimin e formularëve.

Juristi Traja e ankimoi vendimin e KED-së në Gjykatën e Apelit Administrativ. Kjo e fundit e rrëzoi padinë, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Sipas Gjykatës së Apelit Administrativ, ligji ka parashikuar afate strikte, të cilat duhen respektuar nga kandidatët. Gjithashtu, trupa gjyqësore që shqyrtoi këtë padi, konstatoi se Traja jo vetëm që nuk ka përmbushur detyrimin në afat, por as nuk ka bërë përpjekje për të kërkuar “shtyrje afati” nga institucioni që administronte formularin e pasurisë, ILDKPKI.

Por, edhe nëse Traja do të kishte bërë një kërkesë administrative për “shtyrje afati”, ai nuk do të arrinte asgjë.

Rasti “Shehu”

Në një rast të ngjashëm, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi rrëzoi si të pambështetur faktin që kandidati Avni Shehu kishte kërkuar nga ILDKPKI “shtyrje afati” për dorëzimin e formularëve të pasurisë për “arsye objektive”, të cilat nuk vareshin nga vullneti i tij.

Aplikanti Shehu kishte nisur mbledhjen e dokumentacionit për pasurinë e tij që në Janar 2019, kohë kur ai kishte aplikuar, por KED ende nuk e kishte hapur zyrtarisht garën e aplikimit.

Gjatë procesit të mbledhjes së dokumentacionit, Shehu kishte konstatuar problematika në veprimet e bankës me llogaritë e bashkëshortes së tij, notere.  Në veprimet e bankës, llogaritë e aktivitetit privat (noteri) i ishin atashuar llogarive personale të bashkëshortes së aplikantit, duke rritur në këtë mënyrë, në mënyrë jo të rregullt, pasurinë e familjes Shehu.

Pasi ka konstatuar këtë problematikë, aplikanti Avni Shehu ka kërkuar nga banka e nivelit të dytë saktësimin e llogarive dhe ndarjen atyre personale nga ato të biznesnit.

Por, ky veprim kërkonte kohë për t’u realizuar nga banka, gjë që pengonte aplikantin Shehu të dorëzonte në afat formularët e pasurisë.

Ai i ka dorëzuar ILDKPKI një kërkesë për “shtyrje afati” dhe “caktim afati të ri” për dorëzimin e deklaratës së pasurisë, duke vënë në dijeni edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Po në të njëjtën kërkesë, Shehu i drejtohet KED-së që, në rast se kërkesa për caktimin e një afati të ri nuk merret në konsideratë, atëherë ai heq dorë nga kandidimi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin për të mos penguar procesin e plotësimit të vendeve vakante në atë institucion.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 29, dt. 14.05.2019 vendosi “përfundimin e procedurës së verifikimit”, duke i pranuar “kërkesën e dorëheqjes”, e cila, automatikisht rrëzoi kërkesën e parë të tij, atë të caktimit të një afati të ri për dorëzimin e formularit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...